E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java më intensive e Bashës përfundoi vetëm me një shfaqje

Sot mbushet një javë që nga betimi i Bashës si kryebashkiak i ri i Tiranës. Sikur premtoi përpara këshillit bashkiak dhe zëvendësambasadorëve, këto 100 ditë do ishin shumë të rëndësishme për të. Në fakt ka kaluar një javë dhe ai është mjaftuar vetëm me një shfaqje. Priti të mërkurën disa qytetarë, përhapi në media lajmin se ishin mijëra edhe pse ishin disa dhjetëra sipas një skenari të tij, dhe kur të premten qytetarët hallexhinj mbërritën në derën e tij, ai i dëboi.

Nuk ka ndodhur asnjë çudi. Edhe kur drejtonte Ministrinë e Transporteve, dhe kur drejtonte Ministrinë e Brendshme apo atë të Jashtme, rrallë herë shihej në detyrë. Kështu ka ndodhur edhe me Bashkinë e Tiranës. Mbërriti ditën e parë për nja dy orë. Më pas prezantoi nja dy zëvendësa dhe me kaq u mbyll detyra më e rëndësishme e tij.

Por ndërsa ditët kalojnë në detyrë, një gjë është për tu theksuar: ai e ka nisur detyrën ndërsa qeveria e tij po shkatërron tre nga pasuritë më të mëdha të Tiranës, lumin e Erzenit, Kopshtin Botanik dhe Piramidën. Në fund të mandatit të tij nuk do ketë ndryshim, përveçse do shohim ndonjë gropë në buxhetin e bashkisë dhe të qeverisë dhe një çetë banditësh të kënaqur me leje ndërtimi.

Sa i përket faktit se a do kemi një kryebashkiak në krye të detyrës, harrojeni. Si në fushatë do kemi një njeri që nuk do guxojë të përballet me median, që do shijojë jetën dhe qejfet siç ka bërë deri më tani, dhe do marrë përsipër ndonjë katastrofë financiare e në mos njerëzore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›