E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria feston 81-vjetorin e Çlirimit, krerët e shtetit homazhe në varrezat e Dëshmorëve

Në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit u zhvillua ceremonia zyrtare e homazheve, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, si Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani, ministra, deputetë si dhe pasardhës të veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare.

Kryeministri Rama vendosi një kurorë me lule pranë Monumentit “Nëna Shqipëri” dhe u përkul me respekt përpara kujtimit të të rënëve, duke nderuar sakrificën e tyre sublime në emër të lirisë dhe të ardhmes së vendit.

Drejtuesit e shtetit, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë, u përkulën me respekt në nderim të Dëshmorëve të Atdheut, duke kujtuar sakrificën e tyre për lirinë e vendit.

Mesazhi i kësaj dite mbetet i pandryshueshëm ndër vite: nderim dhe mirënjohje e përjetshme për ata që dhanë jetën për Shqipërinë.

29 Nëntori shënon ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas pushtimit italian më 7 prill 1939 dhe kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943, vendi ra nën kontrollin e forcave gjermane. Ushtria Nacionalçlirimtare organizoi një luftë të armatosur në të gjithë territorin, duke mobilizuar krahinat, qytetet dhe fshatrat nga jugu në veri.

Pas çlirimit të Tiranës më 17 nëntor 1944, luftimet kulmuan me çlirimin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë më 29 nëntor, duke shënuar fundin e pushtimit gjerman. Ky akt historik e radhiti Shqipërinë në krahun e forcave fituese të luftës, pranë aleatëve të mëdhenj. Sot, si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria mbetet pjesë e koalicionit euroatlantik antifashist, duke ruajtur kujtesën e sakrificës së popullit të saj për liri.

Ndarja politike rreth festimit të 28 ose 29 nëntorit mbetet ende e pranishme. E majta vijon të njohë 29 nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërsa e djathta e konsideron 28 nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe çlirimit nga pushtuesit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›