Fieri kremton 81-vjetorin e Çlirimit, kryebashkiaku Armando Subashi nderon dëshmorët e lirisë

Festa e Çlirimit të Atdheut u kremtua sot edhe në qytetin e Fierit, ku në 81-vjetorin e kësaj dite historike u zhvillua një ceremoni nderimi në Varrezat e Dëshmorëve.
Autoritetet vendore, deputetë, qytetarë, veteranë dhe pasardhës të tyre vendosën kurora dhe buqeta me lule në obeliskun kushtuar dëshmorëve të Fierit, duke përkujtuar sakrificën e tyre për lirinë e vendit.
Në ceremoninë e zhvilluar në orën 10:00 ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë të Partisë Socialiste, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe komuniteteve fetare.
Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, në prononcimin e tij për mediat, u shpreh se “Sot përkulemi me respekt përpara heronjve, përpara dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe kjo është një ndjenjë krenarie. Besoj se këtë e tregon edhe pjesëmarrja e madhe pa dallim moshe, dhe padyshim është tregues që vlerat e luftës do të vazhdojnë të përcillen brez pas brezi. Urimi në këtë ditë është: Lavdi Dëshmorëve, lavdi të përjetshme veprës së tyre dhe padyshim t’i kujtojmë në jetën e përditshme.”
Subashi gjithashtu vlerësoi sakrificën e bijve dhe bijave të Fierit që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot, ndërsa mungesën e opozitës në festime e konsideroi si vendim të tyre, duke shtuar se “ne jemi në anën e duhur.”
Emocione të veçanta krijoi banda e qytetit me muzikën shoqëruese gjatë gjithë ceremonisë, duke e bërë atmosferën edhe më solemne.
/rtsh.al/