Bari, qytet i dhembjes dhe i vetëqortimit
Këto ditë qyteti bregdetar i Barit në Italinë fqinjë kujtoi me një sërë veprimtarish kulturore, por edhe ceremonish zyrtare të nivelit të vet më të lartë, eksodin e shqiptarëve të para 20 vjetëve. Zbarkimin biblik të më shumë se 20 000 vetëve nga bregu tjetër misterioz në atë port dhe mbylljen e atyre ëndërrthyerve në stadiumin e qytetit, që për ironi ka emrin “Vittoria”. Skena të furishme, gladiatoriale, plot plagë dhe dhembje përdëllyese, apokaliptike dhe zhgënjimi i hidhur i kthimit të detyruar. Nga njëra anë u ndie spikama e qytetarëve të Barit, me kryebashkiakun e tyre të mirë Enrico Dalfinon, që donin t’u gjendeshin shqiptarëve në ato kohëra të vështira plot ankth e varfëri, t’i shpërndanin dhe t’i merrnin nëpër shtëpitë e tyre, nga ana tjetër mbizotëroi aksioni shtetëror, që, mbase të kapur në bef apo e tillë ishte situata dhe politika e papërgatitur për atë zulm, u përdor policia për të krijuar atë “gjendje arresti” për të ikurit e bregut tjetër, ende me diktaturë. Dhunë, uri, kaos, frikë, mashtrime dhe kthimi si një formë e rafinuar e ndëshkimit. Ndërkaq, më pas, Italia do të ishte vendi që do të na gjendej më shumë nga të tjerët, me ndihma e asistencë e mbështetje të shumanshme. Por jehona e mbërritjes së anijes fantazmagorike “Vlora” në portin e Barit ka patur jehonë të madhe në mediat italiane e të botës, duke e bërë atë simbol të një tronditjeje e ndryshimi epokal. Po edhe përkujtimi në 20-vjetorin e kësaj ikjeje kaloi me jehonë në të dy brigjet, më shumë andej se këtej, edhe me kritika për qëndrimin e atëhershëm, edhe me vetëqortim, por duke vënë në dukje ndjenja të solidaritetit human, admirim për shqiptarët e vitalitetin e tyre si dhe mirënjohjen tonë për Italinë partnere. Në qytetin e Barit vërtet u vlerësua Shqipëria e tanishme, që ka ecur përpara, Qeveria e saj Demokratike, e cila ka rritur mirëqenien, dinjitetin dhe liritë, lidhjet e gjithanshme me botën, ku Italia zë vend parësor. Nuk është e rëndësishme të kujtosh, por dhe duhet të dish të kujtosh. Kanë kaluar 20 vjet.
Akti i Parë: Salla Morat
Asosacioni ITAL, me president zotin Antonio De Ciço, me mbështetjen dhe ndihmën e konsullit tonë të Përgjithshëm në Bari, zotin Bashkim Bekteshi, nis ciklin e veprimtarive. Hapet ekspozita “Dritë dhe hije në një korridor shprese”... kështu shkruhej nëpër afishimet e mëdha rrugëve të Barit dhe në fletë-palosjet e shpërndara kudo, edhe në hotelin “Palace”, ku na kanë vendusr ne, të ftuarit nga Shqipëria. Ja, maketi i bardhë i anijes Vlora në hyrje të ekspozitës. Një lloj Arke e Nojes moderne për shpresat e atëhershme. Duket sikur anija është zvogëluar për ta nxënë kujtesa e tanishme. Fotografi dramatike të Nicola Amatos, vepra të Nardit, Marzullit, De Rosas si dhe mozaikët tërheqës të Agim Nebit bashkë me qëndismat e bashkëshortes së tij. Një si vegim i rëndë me muzikë të shuar. Mure të larta, jo ato të Berlinit, por të stadiumit të Barit dhe shqiptarët lart. Me këmishat e hequra e krahëhapur si shqiponja. Dikush fluturon prej tyre. Uri, etje, vapë e padurueshme dhe helikopteri që hidhte ushqime nga lart. Policia e acaruar, me skafandër e mburoja. Gurë. Shkulje hunjsh, britma. Të gjitha gazetat e botës përshkruanin ngjarjet shqetësuese, që ndiqnin njëra-tjetrën si një marramendth. Filozofi francez Andrea Glucksman do të shkruante në ato ditë se policët, kur godisnin me shkopinjtë e gomës shqiptarët e mbyllur në stadiumin infernal të Barit, në subkonsh godisnin gjyshërit e tyre të ikur dikur, në mërgimin e largët në Amerikë. Ja, një mësim i rëndë. Tjetër? Po ku është solidariteti njerëzor, pse, ne paguajmë taksa, do të më thoshte gruaja e shkrimtarit kafkian Dino Buzzati. Nga vijnë shqiptarët, nga cila kohë? Prandaj dhe Lutfi Guri ishte thirrur të promovonte librin e tij “Shqipëria - vendi i agimit të Europës”, ku të pranishmit i tërhoqi historia e lashtë e Shqipërisë, luftërat e pafundme, konfliktet dhe marrëdhëniet me Italinë fqinjë. Zonja Besa Moni do të fliste për dukuri të gjuhës shqipe. Riçardo Riçardi do të paraqiste temën “Feudet me shpirt shqiptar në shekullin XVI në Jug të Italisë: një shekull i artë lidhjesh ekonomike dhe tregtare”. Eksodet e para mesjetare. Një ditë më pas do të flitej për Nënë Terezën, shenjtoren shqiptare, ikonën e së cilës Italia e njeh aq mirë dhe e do aq shumë. Prapë shpirti shqiptar fluturon qiejve nga ku poshtë duken porti i Barit, pulëbardhat, stadiumi epik, ankthi dhe zemërimi i atyshëm ngrihet si tym, rrugët; ja, rruga “Vlora”, “Durrësi”, “Luigj Gurakuqi”, kishat, supermarketet, aeroporti, paqja, mirësia e gjithmontë njerëzore... Profesoresha Giuseppina Scalise krijon një metaforë sugjestionuese mes anijes “Vlora” dhe Nënë Terezës që endej nëpër porte dashurie për t’iu gjendur të tjerëve, kushdo qofshin ata. Unë do të tregoja për takimet me Nënë Terezën, për lutjet e saj për refugjatët, për shqiptarët, për pengesat dhe ardhjen e saj, të “gruas më të njohur të planetit në dheun amë. Të nesërmen prapë aty te sheshi “Ferrarese”, në fund të bulevardit “Victor Emmanuele”, në sallën Morat, ku janë bashkuar xhami me gurin e vjetër kështjellar, Kledi Kadiu, balerin i njohur, por dhe aktor filmash, autor i një libri për jetën e tij, do të takonte fansat e vet, rininë bareze e do të jepte intervista për televizionin. Po, tha ai, na mbyllën në stadiumin e Barit dhe na kthyen... dhe unë erdha prapë. Jam shqiptar, jam shkolluar në Shqipëri, tani Italia më dha mundësinë e shpalosjes...
Ana tjetër e medaljes
Në Parlamentin komunar të Barit, ndërsa kryetari i baskisë, Michele Emiliano, u uronte mirëseardhjen shqiptarëve dhe delegacionit presidencial nga Tirana, arriti të nëpërmendë me një si ndjenjë faljeje atë që ndodhi para 20 vjetësh në qytetin e tij, trajtimin e padenjë të shqiptarëve, pa atë qytetarinë e famshme italiane, siç u shprehën të tjerë në atë kohë, ai kujtoi me adhurim pararendësin e tij të atëhershëm, Profesor Enrico Dalfinon, që edhe e fyen zyrtarisht si “i papërgjegjshëm dhe i marrë” për atë që donte të bënte. Por koha bën të sajën edhe duke korrigjuar. Në prani të bashkëshortes dhe të të birit të Dalfinos do të zbulohej të nesërmen një kuadër me portretin e tij. Ndërkaq presidenti shqiptar, zoti Bamir Topi, dorëzoi po vetë medaljen e mirënjohjes për qytetin e Barit, kuptohet, duke patur parasysh atë tendencë solidariteti të mëpastajmë të Italisë, që Bari nuk e bëri dot realitet në ato ditë apokaliptike, mikpritja e dëshiruar qe kthyer në përzënie të padëshiruar. Prandaj dhe thuhet se duhet parë dhe ana tjetër e medaljes. Së pari motivacioni i saj. Po a duhej të ishte i pranishëm dhe homologu i tij italian apo një mesazh nga ana e tij? Pse në ceremoni mungonin përfaqësuesit e së djathtës së Bashkisë së Barit? Këshilltarët dhe atyre që u takojnë detyra të tilla duhet t’i kishin parashikuar këto, për të parë të dyja anët e medaljes, që gjërat të bëhen në lartësinë e duhur ose jo apo të shtyheshin për më mirë. Duhet të dimë të kujtojmë, jo vetëm të dimë të harrojmë. Por shpesh atë që mbetet e pathënë dhe e pa bërë e arrin arti, i cili dhe guxon më shumë. Pasdite, në prani të Kryetarit të Bashkisë së Barit dhe Presidentit shqiptar u dha një spektakël me poezi e recitime, ku aktorët Pino Cacace dhe Valeria Pinto rrëfyen me dramacitet, me trishtim e indinjatë atë që ndodhte para 20 vjetësh në qytetin e tyre. Por dhe me dhembje e dashuri. Spektaklin e shoqëronte me violinë durrsakja Mira Zhiti, me pjesë nga Bahu etj., kurse balerina Deborha Brandonisio vërtitej si në delir në atë mjedis, madje duke kaluar dhe mes spektatorëve e duke krijuar frushullima flatrash, thyerje gjymtyrësh, mendimesh, pikëllim, panik, gjendje statike, shpresë. Teksa dëgjoja poezitë e mia në italisht, fragmente të romanit tim me këtë temë, detajet e ikjes dhe të keqtrajtimit, por dhe të mbështetjes e të ndihmës pa kushte, dashurinë njerëzore, që prodhon dritë, ndieja lehtësi. Si ai që e ka kryer detyrën. Më vinte mirë që dinim t’i thoshim ato që duheshin dhe ata na mirëkuptonin. Me bukurinë e artit. Të nesërmen prapë, kur ne kishim ikur nëpër natë dhe det, në drejtim të kundër me anijet e gomonet e skafet që sillnin e sillnin shqiptarë, në sheshin aty, në një ekran të madh ishte projektuar përsëri spektakli ynë.