Fushata zgjedhore, 45% e administratës pati presion politik
Administrata shtetërore u përfshi në shkallë të gjerë në fushatën elektorale të partive politike. Në këtë përfundim ka dalë dje Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, i cili ka publikuar një studim mbi rolin e politikës dhe administratës shtetërore ndaj punonjësve gjatë fushatës elektorale të 28 qershorit 2009, të financuar nga Ambasada Gjermane. Për të dalë në këtë përfundim janë bërë 420 intervista, në nëntë qytete kryesore të vendit. Konkretisht 45 për qind e të pyeturve janë shprehur se kanë pasur presion politik gjatë fushatës elektorale. Ndërkohë numri më i madh i punonjësve të administratës lëvizin nga vendi i punës në varësi të forcës politike që drejton atë institucion. Kështu 26.5 për qind e të pyeturve janë shprehur se kanë qëndruar në një vend pune nga 1 deri në 3 vjet, çka përkon edhe me ndryshimet politike në dikastere, ndërkohë që vetëm 11.3 për qind kanë qëndruar në të njëjtin pozicion 4 vjet. Sipas dëshmive që kanë dhënë punonjësit e administratës, 23.4% e tyre janë shprehur se kanë marrë urdhër nga titullari i institucionit për të dalë në mitingje. Të pyetur për daljen në tubime, 30 për qind e të pyeturve janë shprehur se kanë dalë jashtë vullnetit të tyre, ndërsa 68.5 për qind i janë bashkuar një force politike me vullnetin e tyre. Ndërkohë 18.5 për qind e të intervistuarve kanë deklaruar se punojnë në institucione, ndërkohë që 53 për qind kanë deklaruar se janë të angazhuar në veprimtari politike. Duke folur në konferencën e djeshme, Ambasadori i Gjermanisë, Bernt Borchard tha se "këto janë konkluzione tepër kritike. Dhe në këtë pikë unë do të theksoja me forcë: kritika nuk i drejtohet vetëm një partie të veçantë, por të gjithë pushtetarëve në nivel lokal dhe kombëtar. I bëj thirrje Parlamentit shqiptar dhe Qeverisë shqiptare të marrin masa në mënyrë që të eliminojnë praktika të tilla në kohën e duhur përpara zgjedhjeve të ardhshme shqiptare".
Gjetjet
Puna në administratë
1-3 vjet 26.5%
4 vjet 11.3%
Mbi 4 vjet 17.2%
Presioni politik
Jo 55%
Po 45%
Pjesëmarrja në mitingje
30% me vullnetin e tyre
68.5% pa vullnetin e tyre
Vazhdoni të punoni në institucion?
Po 58.6%
Jo 18.5%
Pa përgjigje 22.9%
Veprimtaria politike
53% të angazhuar
47% të paangazhuar