“Shqipëria, jashtë efekteve të krizës, biznesi turk do të rrisë prezencën”
Kryeministri, takim të përzemërt me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Turqisë, Ahmet Dovutoglu.
Në ditën e dytë të punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri zhvilloi një takim të përzemërt me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Turqisë, Ahmet Dovutoglu. Ministri Dovutoglu shprehu kënaqësinë për këtë takim dhe i konsideroi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve si strategjike. Pasi nënvizoi rolin strategjik të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan, ai theksoi se lidhjet historike dhe marrëdhëniet vëllazërore janë një bazë solide për marrëdhëniet dypalëshe. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë të tij e të popullit shqiptar për ndihmën e pakursyer që Turqia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në të gjitha fushat.
Më tej, Kryeministri shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet ekonomike mes të dy vendeve, në 5 vitet e fundit kanë arritur nivelet shumë të mira të marrëdhënieve politike. Ai theksoi se investimet dhe bizneset turke që përfshijnë çdo fushë të ekonomisë, përfshirë sistemin bankar, telekomunikacionin dhe metalurgjinë, renditen ndër më të mëdhatë e më të suksesshmet në Shqipëri.
Me fokus të veçantë për zhvillim më të madh, Kryeministri e vuri theksin tek bashkëpunimi dhe investimet turke në turizëm, duke theksuar se Shqipëria mund të përfitojë nga eksperienca e shkëlqyer turke në këtë sektor.
Ministri i Jashtëm, Dovutoglu u angazhua që të tërheqë vëmendjen e strukturave përkatëse dhe investitorëve turq në këtë drejtim. Në takim u diskutua edhe për situatën dhe zhvillimet në rajon. Vëmendje e posaçme iu kushtua përpjekjeve për njohje të mëtejshme të shtetit të Kosovës, si dhe rritjes dhe konsolidimit të saj në arenën dhe institucionet ndërkombëtare.
Kryeministri riafirmoi qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë për ruajtjen e kufijve aktualë, si interesi më i mirë për paqe, stabilitet e prosperitet afatgjatë në rajon.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim se pozicioni serb në lidhje me 3 komunat e veriut të Kosovës i kontribuon ruajtjes së tensionit, në dëm të paqes në rajon. Gjithashtu u diskutua për domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes së emrit të Maqedonisë, si një element kyç për stabilitetin.