E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria ka lojtarë të talentuar

Selektori i Shqipërisë, Josip Kuzhe, zhvilloi të hënën një konferencë për shtyp, në sallën e konferencave të Federatës Shqiptare të Futbollit. Tema e saj kishte lidhje me zborin stërvitor të skuadrës kombëtare në Antalia të Turqisë. Trajneri Kuzhe e cilësoi zborin si mjaft të frytshëm.

“Kushtet dhe i gjithë organizimi ishin jashtëzakonisht të mira. Po kështu, edhe atmosfera në skuadër. Patëm rast që të punonim me lojtarë të talentuar në kushte të shkëlqyera”, tha kroati.

Më pas, trajneri i përfaqësueses shqiptare foli konkretisht për disa elementë të spikatur, sidomos në lojën sulmuese të skuadrës. Sa u takon ndeshjeve të zhvilluara atje, trajneri Kuzhe u përgjigj se rezultati i tyre nuk kishte rëndësi për vetë qëllimin që kishte zbori.

“Që ditën e parë kam diskutuar me lojtarët dhe ua kam bërë të qartë se qëllimi i këtij zbori është vëzhgimi dhe puna individuale me futbollistët. Ne nuk ishim skuadër. Kjo u vu re sidomos në pjesën e parë të ndeshjes me Adanaspor, ku lojtarët e kishin të vështirë të mirëkuptoheshin me njëri-tjetrin. Megjithatë, edhe në këtë aspekt, sidomos në ndeshjen e dytë, treguam shenja të mira”.

Në përfundim, trajneri deklaroi se eksperienca e Antalias ishte e frytshme dhe do t’iu shërbejë mjaft në ardhmen futbollistëve kandidatë për ekipin kombëtar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›