E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nismën duhet ta ndërmarrë PD-ja

Republikanët insistojnë në idenë e tyre për krijimin e një konfederate të djathtë.

Republikanët insistojnë në idenë e tyre për krijimin e një konfederate të djathtë. Presidenti i Nderit, Sabri Godo, kërkon nisjen e negociatave sa më shpejt me PD-në. Në një prononcim për “Korrierin”, Godo, por edhe sekretari i Përgjithshëm i PR-së, Aleksandër Garuli, sqarojnë kërkesat e tyre. “Negociatat me PD-në duhet të fillojnë në ditët e para të shtatorit me doemos. Por nismën për këtë duhet ta ndërmarrë PD-ja si partia më e madhe e koalicionit”, - u shpreh Sabri Godo, i pyetur lidhur me nisjen e dialogut me demokratët. Ndërkaq, Aleksandër Garuli deklaroi se bashkëpunimi në formën e konfederatës do të ishte pozitiv për të djathtën, nëse do të realizohej edhe përpara zgjedhjeve të vitit 2009. “Ne e kemi kërkuar atë për të zgjidhur njëherë e mirë raportet e brendshme që do të ishin brenda koalicionit, që do të thotë brenda së djathtës. Pra, konfederatë nuk do të thotë ngjizje dhe shkrirje të subjekteve përbërës, por do të thotë vendosje e rregullave të bashkëpunimit, saktësimi dhe sanksionimi total i rregullave të bashkëpunimit”, - deklaroi Garuli. Por, ndonëse republikanët e kanë hedhur këtë ide dhe e kanë rivlerësuar disa herë si një hap pozitiv, ende nuk janë hedhur hapa konkretë për të nisur negociatat me PD-në. I pyetur nëse, ashtu sikundër bëri PSD-ja me PS-në, edhe republikanët kanë hartuar një projekt për t’ua paraqitur demokratëve, ai thotë: “Jo. Aktualisht nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për realizimin e konfederatës, por edhe ky është një problem në kuadrin e ideve. Në momentin që do të pranohet në parim, atëherë mund të flitet me detaje”. Pra, i vetmi problem për të realizuar vullnetin e republikanëve mbetet “Po”-ja e demokratëve. Por kjo përgjigje pozitive nuk duket absurde. Një sinjal pozitiv u dha pak ditë më parë nga kreu i demokratëve në sallën e kuvendit, Astrit Patozi. “Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, ku ka, ashtu si çdo shtëpi e madhe, shumë hyrje dhe dalje, dhe besoj se të gjitha lëvizjet në funksion të fitores sonë në zgjedhjet e ardhshme janë të mirëpritura. Që jemi të hapur për të gjitha format e bashkëpunimit, unë me këtë kam parasysh shkrirjen me disa parti apo krijimin e disa koalicioneve brenda të djathtës. E rëndësishme është që ne duhet të hyjmë si një koalicion, në mënyrë që asnjë votë e mazhorancës të mos shkojë dëm”, -deklaroi ai. Ndërkaq, ndryshe nga ndonjë parti tjetër e djathtë, sikundër PDR-ja që preferon edhe shkrirjen me PD-në, republikanët kërkojnë që çdo parti, pavarësisht përfshirjes në konfederatë, të ruajë unitetin e saj. “Çdo subjekt në mënyrë të padiskutueshme do të jetë një unitet më vete brenda konfederatës. Konfederatën ne e konsiderojmë rregulla loje të një bashkëpunimi të subjekteve përbërës, jo shkrirje të tyre dhe humbje identitetesh. Asnjëherë nuk bëhet fjalë për shkrirje strukturash”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm i PR-së, Aleksandër Garuli. Megjithatë, sikundër thotë edhe vetë ai, ende nuk kanë nisur negociatat me demokratët lidhur me këtë formë të re bashkëpunimi. Pikërisht gjatë tyre, që ende nuk dihet saktësisht se kur do të fillojnë, do të flitet edhe për detajet e funksionimit të konfederatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›