E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria kërkon fitore ndaj Azerbajxhanit

Kombëtarja shqiptare është gati për ndeshjen miqësore të cilën do ta zhvillojë sonte ndaj Përfaqësueses së Azerbajxhanit. Udhëheqësi i kuqezinjve, Dzemal Mustedanagic beson se me lojë sulmuese, skuadra e tij do të triumfojë në këtë takim. Fitore nga kjo përballje pret edhe kapiteni, Lorik Cana.

Kombëtarja e Shqipërisë sonte në Tiranë do ta zhvillojë ndeshjen miqësore ndaj Përfaqësueses së Azerbajxhanit. Pas largimit të Josip Kuzes, Kuqezinjtë kanë mbetur pa selektor. Andaj, nga dita e diel, reprezentuesit shqiptarë janë përgatitur për këtë miqësore nën instruksionet e Dzemal Mustedanagicit, ndihmës i deritanishëm i strategut kroat.

Boshnjaku thotë se skuadra kuq e zi është gati për këtë sfidë. Mustedanagic ka premtuar se do ta kërkojë fitoren ndaj skuadrës së Azerbajxhanit, duke aplikuar lojë ofanzive. “Është mentaliteti shqiptar, i lojtarëve dhe tifozëve, për lojë sulmuese. Për këtë arsye, kam vendosur të luajmë në sulm”, ka deklaruar Mustedanagic.

Ndërsa, kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana ka pohuar se bashkë me shokët e tjerë të skuadrës, janë të motivuar para kësaj sfide, ani pse bëhet fjalë vetëm për një duel miqësore, në të cilin Kombëtarja shqiptare do të hyjë me disa mungesa.

“Kemi mungesa në lojtarë, si Debatik Curri apo Ervin Bulku. Kemi probleme në mesfushë dhe unë mund të rikthehem të luaj në këtë pozicion. Gjithsesi se jemi shumë të motivuar”, ka thënë mesfushori kosovar i Lazios.

Ndeshja mes kuqezinjve dhe azerbajxhanasve do të fillojë prej orës 18:00. Kurse, takimin tjetër miqësor, shqiptarët do ta zhvillojnë pas katër ditësh, si mysafirë të Maqedonisë.

Cana preferon trajner shqiptar

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana ka folur edhe rreth vendit të mbetur bosh pas largimit të selektorit, Josip Kuze. Mesfushori kosovar ka shprehur keqardhjen e tij që Besnik Hasi nuk ka mundur ta pranojë ofertën e FSHF-së. Mirëpo, Cana shpreson që Hasi të vazhdojë të përfitojë përvojë akoma më të madhe si trajner, dhe në një të ardhme t’i shërbejë ekipit kuq e zi si selektor. Mesfushori i Lazios nuk ka hezituar të tregojë se si kapiten i kuqezinjve preferon që FSHF-ja të angazhohet ta gjejë ndonjë trajner shqiptar, para se ta kërkojë ndonjë tjetër të huaj.

“Nuk e di se çfarë të them, por unë nuk kam qenë asnjëherë kundër një trajneri shqiptar. Por, mjafton që ta njohë mentalitetin tonë, mënyrën tonë të lojës. Pastaj, ne do ta kishim më të lehtë t’i kryejmë detyrat tona”, ka thënë Cana.

Pas Hasit, edhe Kostner refuzon Shqipërinë

Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon të mbetet pa selektor, pas largimit të strategut kroat, Josip Kuze. Pas Besnik Hasit, ofertën e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për ta marrë drejtimin e ekipit kuq e zi e ka refuzuar edhe Lorenz Kostner, edhe pse deri të mërkurën thuhej se trajneri gjerman është në prag të finalizimit të marrëveshjes me kuqezinjtë. Kështu të paktën kanë raportuar të enjten mediat shqiptare, sipas të cilave, gjermani e ka refuzuar ofertën e FSHF-së, pasi drejtuesit e Wolfsburgut e kanë ndalur për të punuar në ekipin e të rinjve. Kështu që, FSHF-ja do t’i vazhdojë përpjekjet e saj për ta gjetur pasardhësin e Kuzes.

Hasi nuk e refuzoi Shqipërinë për para

Pas largimit të Josip Kuzes, Besnik Hasi konsiderohej si kandidati më potencial për ta zëvendësuar kroatin në krye të shtabit teknik të Kombëtares shqiptare. Mirëpo, ndihmëstrajneri kosovar i Anderlechtit e kishte refuzuar ofertën e drejtuesve të futbollit shqiptar. Ish kapiteni i kuqezinjve i ka sqaruar arsyet e këtij vendimi të rij.

“Vendimi ka qenë imi dhe më i vështiri që kam marrë ndonjëherë në karrierën time, sepse në mes ishte skuadra kombëtare. Emocionalisht, zemra më thoshte që të isha aty. Por, nga ana tjetër, ishte Anderlechti, klubi që më besoi një projekt që kërkova vetë dhe që nuk mund ta lija në gjysmë”, ka thënë Hasi për gazetën shqiptare, ‘Sporti Shqiptar’.

“Nuk është e vërtetë, kinse Armando Duka nuk mi ka plotësuar kërkesat. Është përfolur shumë në media, se gjoja Besnik Hasi paska kërkuar shumë lekë, por ju them që ai ka qenë problemi im më i vogël. Thjesht, në mes ishte respektimi i standardeve të korrektësisë kontraktuake me klubin e Anderlechtit. Ana financiare ka qenë, sinqerisht, pika e fundit. Nuk dua që publiku shqiptar të mendojë për mua në këtë aspekt”, ka theksuar pos tjerash Hasi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›