Shqipëria, kriza ndikon në negociatat me BE-në

Asgjë e re nuk duket se mund të përftohet nga kriza aktuale politike. Intervista e eurodeputetit Chountis risjell në vëmendjen e opinionit publik shqiptar atë perceptim problematik që është krijuar në Strasburg rreth situatës së bllokuar prej 1 viti. Pa vullnet real për kompromis, me mbajtjen të hapur e pse jo të shfrytëzimit të krizës si koniunkturë nga palët në Shqipëri, realiteti i krijuar vetiu e komprometon ambicien për t’u integruar në BE. Të paktën sikurse thotë eurodeputeti, edhe pse kriza nuk e zhbën perspektivën europiane, ajo e largon atë përherë e më shumë me shënjimin që i bën Shqipërisë si një vend ende larg standardeve europiane.
Z. Hundis, cila është përshtypja që krijuat për Shqipërinë nga vizita juaj atje?
Në fund të marsit bëra vizitën time të parë dhe të vetme në vendin fqinj, i ngarkuar nga Parlamenti Europian, në kuadrin e konfigurimit të programit për ecurinë e integrimit të këtij
vendi në familjen europiane. Për të krijuar një vizion sa më të qartë, përveç takimeve me Presidentin e Republikës, me Kryeministrin, shumë ministra e përfaqësues nga partitë parlamentare, synova edhe takime me sindikata e shoqata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pikëpamja ime u reflektua në raportin që përpilova, si dhe në miratimin e rezolutës nga pothuajse të gjitha grupet politike të Parlamentit Europian.
Për sa i përket ecurisë së vendit drejt BE-së, jeni i mendimit se janë hedhur hapat e duhura?
E vërteta është se janë hedhur hapa në të gjitha fushat. Janë miratuar ligje që garantojnë të drejta dhe liri për qytetarët shqiptarë. Problemi kryesor është zbatimi i këtyre ligjeve, i cili shpeshherë pengohet nga korrupsioni i përhapur, që vazhdon të shqetësojë shoqërinë shqiptare, një problem ky i dukshëm në të gjithë fushën politike. Gjithashtu ekzistojnë akoma disa probleme që duhet të zgjidhen dhe që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me vendet fqinje.
Situata e ndërlikuar politike që mbizotëron në vend, për më shumë se një vit, do të ndikojë negativisht në negociatat me komunitetin?
Ngërçi politik pengon funksionimin e qetë të Parlamentit, komplikon e pengon reformat ekonomike e shoqërore, duke mos lejuar të përqendrohet vëmendja dhe përpjekjet në zgjidhjen e këtyre problemeve serioze. E parë nga ky këndvështrim, vështirësohen edhe negociatat me Komunitetin.
Cili është opinioni që mbizotëron për Shqipërinë dhe ecurinë e saj drejt integrimit të plotë në Parlamentin Europian?
Siç e përmenda edhe më sipër, Parlamenti Europian miratoi në një rezolutë raportin që paraqita. Vlerëson se ka ende një rrugë të gjatë përpara, që Shqipëria të mundet të përgatitet për integrimin e saj në BE. Përgjithësisht, nënvizohet perspektiva europiane e Shqipërisë, por edhe e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila në kushte të caktuara mund të ndihmojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve e popujve të këtij rajoni. Kësisoj, si Shqipëria, si shtetet e tjera duhen inkurajuar.
Kur parashikoni ju nisjen e negociatave midis BE-së dhe Shqipërisë për integrimin e plotë?
Siç është e njohur, ecuria e integrimit varet nga shkalla e përmbushjes së kritereve të caktuara. Kryesorja është që kjo perspektivë të jetë një nxitje për të përballuar probleme ekonomike e shoqërore, çështje të drejtash dhe lirie, në favor të punonjësve e të shoqërisë shqiptare.
Besoni se brenda vitit 2010 do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në vendet e marrëveshjes Shengen?
Propozimi i Parlamentit Europian është se komisioni duhet të ndërmarrë hapa, me qëllim ecurinë e Këshillit Europian në heqjen e vizave brenda vitit 2010. Unë mendoj se edhe qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të udhëtojnë të lirë në vendet e BE-së, ashtu sikurse ka ndodhur tashmë dhe me qytetarët e disa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Votuat kundër rezolutës mbi perspektivën europiane të Kosovës. Mund të na thoni arsyet dhe të na jepni vlerësimin tuaj për ecurinë afatmesme të shtetit të ri?
Votova kundër rezolutës për miratimin e perspektivës për integrimin e Kosovës, sepse e konsideron dhe e trajton si një shtet krejtësisht të pavarur. Rezoluta nuk është në përputhje me vendimin 1244/99 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe madje u bën thirrje 5 vendeve anëtare të BE-së, midis tyre dhe Greqinë, të cilat nuk kanë përparuar për të njohur pavarësinë e njëanshme të Kosovës ta vënë në zbatim që të shkelin Rezolutën e OKB-së. Si rrjedhojë, miratimi i kësaj rezolute nuk ndihmon në përballjen me këtë problem dhe nuk kontribuon në stabilitetin e paqes në këtë rajon. Gjithashtu në rezolutë bëhet thirrje për një paraqitje më dinamike të EULEX-it në Kosovë, me të cilën ne si e majtë europiane nuk pajtohemi.
#