E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga status neutral në status pozitiv

Opinion

Pati mjaft kosovarë që nga mbrëmja e së hënës u dëshpëruan me deklaratat nga BE-ja. Ministri qipriot ishte më i ashpër se Jeremiçi, duke insistuar se shteti i tij nuk do ta pranojë “provincën e Serbisë jugore, Kosovën dhe Metohinë”. Moratinos, ministri i Jashtëm i Spanjës, i cili i kaloi vitet më të bukura të jetës në Beograd, ishte kategorik që “Spanja nuk do ta njohë Kosovën për shtet”. Franco Frattini i Italisë tha se “porosia e Serbisë për BE-në është paqësore” dhe se “BE-ja duhet t’i japë sinjalet pozitive rreth kandidimit të Serbisë për anëtarësim në BE”. Mediat elektronike kosovare po ashtu raportuan për “mungesë të unitetit në BE, edhe pas mendimit të GJND-së”. Në shikim të parë, mungesa e sinjaleve pozitive për njohje të Kosovës nga pesë shtetet refuzuese duket të jetë e kobshme për ndonjë përshpejtim të konsolidimit të marrëdhënieve të Kosovës me BE-në. Por, çelësi për rëndësinë e mendimit të gjykatës më të rëndësishme ndërkombëtare mund të gjendet në fjalët që u përdorën nga vetë BE-ja: “BE-ja fton palët që t’i kthehen së ardhmes, e jo së kaluarës”. Pas mbledhjes së ministrave të BE-së në Bruksel, Frattini gjithashtu u shpreh se “pas GJND-së është e qartë se biseda për status nuk do të ketë më kurrë”. Ndërsa komisionerja e BE-së për Punë të Jashtme, Catherine Ashton, pati një deklaratë sinjikative - “Mendimi i GJND-së ishte tepër i qartë”. Me gjasë, mendimi i GJND-së i ndihmoi anëtarët e BE-së që janë mike të Kosovës, ta çimentojnë qëndrimin e tyre rreth statusit, duke e shtyrë tërë komunitetin të lëvizë nga pozita e status neutralitetit në një lloj status pozitiviteti. është fare lehtë të paramendohet se qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme mund të jenë shumë më të zëshëm në përfaqësim të denjë dhe të barabartë të Kosovës në forume multilaterale, sepse një gjë e tillë është në konform edhe të vetë Rezolutës 1244. Spanja, Qiproja, Rumania e të tjerët mund të vazhdojnë me obstruksione ndaj Kosovës, por në shumë mënyra, mendimi i GJND-së - më shumë se vetë Deklarata e Pavarësisë - ka vulosur fatin e mëtutjeshëm të Kosovës. Por, Kosovës tashmë i mbetet të koncentrohet në tri momentet kryesore që presin diplomacinë kosovare, të cilat janë edhe një obligim i madh i Kosovës në përgjithësi. çështja e parë është beteja në OKB. Në shtator mbahet sesioni i rregullt i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe aty Serbia mund të ketë paraqitje më dinake, duke propozuar një format të tekstit të Rezolutës për Kosovën që mund të rivendosë çështjen e Kosovës në korniza të neutralitetit ndaj statusit, qoftë edhe të maskuar si ofertë serioze për pajtim me shqiptarët. Kosova duhet ta përshpejtojë diplomacinë e vet për të arritur në pikë kulmore të veprimit gjatë kësaj periudhe. Mbetet fondamentalisht e rëndësishme, që me ndihmë të sponsorëve të mundohemi t’i marrim votat për një rezolutë që do t’i thërriste shtetet anëtare të OKB-së ta njohin Kosovën. Njohjet këtu janë elementi më i rëndësishëm i kalkulimit dhe kusht pa të cilin nuk mund të funksionojë strategjia e pranimit në OKB. çështja e dytë që do ta preokupojë axhendën e përbashkët kosovare dhe europiane është ajo e dialogut me Serbinë. Derisa Kryeministri Thaçi, papritmas i fuqizuar, tha që “dialog me Serbinë nuk do të ketë”, është krejtësisht e qartë që pikërisht dialog do të ketë, por pa asnjë fije dyshimi bashkëbisedimi për çështjet teknike që rëndojnë jetën e qytetarëve të të dy republikave fqinje do të zhvillohet në nivel krejtësisht të barabartë. GJND-ja ka pasur rol të rëndësishëm edhe për fatin e veriut, sepse fokusi i negociatave nuk do të jenë çështjet kufitare apo statusore, por akomodimi i mëtejshëm i serbëve në veri të Kosovës, ashtu që të fitohet një quid pro quo më i lehtë për Kosovën dhe në suaza të kushtetutshmërisë. Kosova do të duhet të ofrojë shumë për veriun, por në kthim, askush më në Europë apo Serbi nuk do të mund të pretendojë në forcim të strukturave paralele dhe moszbatim të Kushtetutës së Kosovës (e cila nuk është shkelëse e së drejtës ndërkombëtare). Pika e tretë, paksa e harruar në vlugun e optimizmit pas-GJND, është Raporti i Progresit të BE-së, që botohet në tetor. Mbetet të shihet nëse gota do të jetë gjysmë e mbushur apo e zbrazur sa i përket punës së qeverisë së Kosovës në dymbëdhjetë muajt e fundit. Kam një përshtypje se nëse raporti fokusohet në pjesën e parë të vitit, s’do mend se pak fjalë të mira do të mund të shkruheshin për punën e bërë, por ndoshta zhvillimet e muajve të fundverës do të arrijnë t’i përmirësojnë gjetjet në raport. Që të tria zhvillimet janë të ndërlidhura ngushtë. Pas GJND-së e kemi të konfirmuar se Serbinë askush më nuk do ta pyesë për Kosovën. 
Kjo vetëm do të thotë se tashmë jemi edhe më shumë përgjegjës për atë që ndodh në vendin tonë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›