E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri, e ardhmja e Bayernit

Selektori i përfaqësueses zvicerane, Ottmar Hitzfeld është i bindur se Xherdan Shaqiri do të ketë përvojë të suksesshme në Bayern Munich. Madje, trajneri gjerman insiston se mesfushori kosovar do të jetë e ardhmja e gjigantit bavarez.

“Xherdan Shaqiri është njeriu i së ardhmes në Bayern. Këtë sezon ose tjetrin, ai do të jetë i rregullt në ekip. Talentët e tjerë si Lukas Podolski kanë dështuar, por Xherdani nuk do të dështojë”, theksoi ish-trajneri i Bayernit për uebfaqen zvicerane blick.ch.

Ditë më parë, trajneri i Bayernit, Jupp Heynckes e kishte lavdëruar Shaqirin, për të cilin thoshte se është një talent i jashtëzakonshëm. Vetë 20-vjeçari ndihet mirë që dëgjon fjalë të tilla nga trajnerët, por edhe nga shikuesit, mirëpo thotë se i nevojitet të punojë shumë.

Gjilanasi është ftuar për ndeshjen e së mërkurës ndaj Kroacisë, së bashku me katër futbollistët e tjerë shqiptarë, Admir Mehmedi, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Blerim Xhemajli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›