E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, marrëveshje gjithëpërfshirëse me Izraelin

Shqipëria, marrëveshje gjithëpërfshirëse me Izraelin

Shqipëria dhe Izraeli nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, në fokus ekonomia, siguria dhe teknologjia

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot në Tiranë homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, me të cilin diskutoi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe sfidat e sigurisë rajonale e globale, përfshirë kontributin e Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.

Gjatë takimit, dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila synon të krijojë një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe të lehtësojë zhvillimin e projekteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë.

Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, marrëveshja përfshin sektorë si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.

Ministri Hoxha vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit mbështeten në një histori të veçantë miqësie, respekti dhe solidariteti, duke theksuar se këto lidhje përbëjnë bazë për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit. Ai nënvizoi gjithashtu zhvillimin pozitiv të bashkëpunimit në turizëm gjatë viteve të fundit.

Sponsorizuar

Gjatë takimit, Hoxha rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për sigurinë e Izraelit, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për një zgjidhje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.

Vizita shërbeu edhe për të riafirmuar angazhimin e Shqipërisë kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje.

Në kuadër të vizitës, ministri izraelit Gideon Sa’ar vizitoi një ekspozitë arkivore që dokumenton traditën shqiptare të mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kapitull i rëndësishëm i historisë së vendit.

Në përfundim, të dy ministrat vlerësuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe të koordinimit në të gjitha nivelet, me synim forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes Shqipërisë dhe Izraelit.a.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›