Shqipëria mbështet anëtarësimin në NATO të vendeve të rajonit

Kryediplomati shqiptar Edmond Haxhinasto kryeson takimin e Kartës së Adriatikut, në Nju Jork
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, u mbajt takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Kartës së Adriatikut. Me cilësinë e Presidencës së radhës së Kartës së Adriatikut, Shqipëria organizoi këtë takim, ku merrnin pjesë: Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina. Në takim merrnin pjesë edhe zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Në fjalën e hapjes, zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Haxhinasto vlerësoi Kartën e Adriatikut si një element i rëndësishëm për anëtarësimin në NATO, duke uruar që edhe vendet e tjera të rajonit të anëtarësohen në një kohë sa më të afërt. Ai theksoi se është mjaft e rëndësishme që politika e dyerve të hapura mbetet në qendër të vëmendjes së Aleancës. Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë të gjithë vendet e rajonit për t’ju bashkuar Aleancës sa më shpejt. Vendet e Kartës së Adriatikut (A-5) zhvillojnë një seri aktivitetesh të përbashkëta në kuadër të Aleancës, si në Afganistan, apo bashkëpunojnë ngushtë për çështje të tilla si emergjencat civile, rajoni, etj. Kjo eksperiencë do të forcohet edhe më tej, tha z. Haxhinasto, gjatë kryesisë shqiptare.
Ai vuri në dukje se, “nisma e Kartës së Adriatikut, ka si objektiv kryesor përgatitjen e vendeve për tu anëtarësuar në NATO, mbështetjen reciproke të tyre, por, tani, duke qenë se parametrat e sigurisë në rajon po rriten çdo ditë e më shumë, vendet e nismës kanë filluar të bashkëpunojnë duke krijuar sinergji, projekte të përbashkëta, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në çështje të ndryshme të sigurisë”.
“Kështu, mund të përmend shkollën e policisë në Afganistan, një përpjekje e përbashkët, një projekt i përbashkët i Kroacisë , ku bën pjesë edhe Shqipëria. Po kështu, sot u hodhën shumë idera të cilat mund të zbatohen konkretisht në ndihmën që mund t’i jepet Libisë për të kaluar procesin e tranzicionit, apo Tunizisë, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë e rajonit, çështjen e emergjencave civile apo edhe për një njësi paqeruajtëse të rajonit, që mund të kontribuojë në vende të tjera të botës që kanë nevojë për këto shërbime”, tha ministri Haxhinasto.
Karta e Adriatikut mbetet një forum gjithëpërfshirës dhe si i tillë në të duhet të marrin pjesë të gjitha vendet e rajonit. Diferencat që mund të ekzistojnë midis vendeve të rajonit duhet të konsiderohen nën optikën dhe parimin se të gjithë ne ndajmë një të ardhme të përbashkët, e cila duhet të jetë me më tepër stabilitet, bashkëpunim, zhvillim dhe përparim.