E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etapa e fundit e vizitës së Atit të Shenjtë në Gjermani

25-09-2011 / Gazeta 55

Benedikti XVI ishte dje në Frajburg, etapa e fundit e udhëtimit në Gjermani. “Krishti i jep kuptim jetës, në Të e ardhmja është e sigurt” tha ai në meshën e qytetit me shumicë katolike në një land me shumicë protestane

Benedikti XVI gjendet në Frajburg, etapën e fundit të udhëtimit të tij apostolik në Gjermani. Momentin e parë në qytetin e Baden-Vyrtenberut, Papa ia kushtoi vizitës së Katedrales gotike të qytetit jugor të Gjermanisë, kushtuar Marisë Virgjër, “Zoja Jonë” shoqëruar nga kryeipeshkvi i Frajburgut, imzot Robert Zollitsch. Ky tempull është një thesar i vërtetë artistik e shpirtëror me dritare mahnitëse mesjetare origjinale.
Më pas, në sheshin para Katedrales në një ditë me diell, Papa përshëndeti banorët e këtij qyteti, duke i ftuar besimtarët të mbështetën kurdoherë në Zotin. “Në Të - tha Papa duke vijuar me moton e vizitës së tij – e ardhmja e jonë është e sigurt”. “Kërkoj lutjet tuaja për këto ditë që të jenë të frytshme, - tha Papa – në mënyrë që Zoti ta përforcojë fenë e shpresën tonë, ta rrisë dashurinë tonë”. Prandaj, urojë që në këto ditë të udhëtimit apostolik, të gjithë të bëhemi “përsëri të ndërgjegjshëm për dashurinë e madhe me të cilën Zoti na do”. “Duhet të mbushemi përplot me këtë besim, se Ai është i mirë ndaj nesh dhe se forca e Tij është e mirë”, ne dhe gjithçka lëviz në zemrën tonë e është e rëndësishme për ne”, Ai i “vë në duar të tij” të sigurta: “Në Të – shtoi akoma Papa – e ardhmja jonë është e sigurt. Ai i jep kuptim jetës sonë e na udhëheq drejt realizimit të plotë”. E Papa përfundoi duke thënë: “Zoti ju shoqëroftë në paqe” e të gjithëve ju bëftë “lajmëtarë të paqes”. Pas takimin e përshëndetjes me banorët e qytetit, Papa Ratcinger është transferuar në Seminarin ipeshkvnor të Frajburgut. Këtu, sot pasdite, ka takuar ish kancelarin gjerman, Helmut Kohl, pastaj përfaqësuesit e Kishave ortodokse të pranishme në Gjermani, një grup seminaristësh dhe Këshillin e Komitetit qendror të katolikëve gjermanë.
Benedikti XVI në Meshën kremtuar para Katedrales së Erfurtit: Feja në kohën e lirisë për të ndryshuar botën/Feja e vërtetë në Zotin nuk fshihet në sferën private sepse ajo ka vlerë publike: vërtet Shenjtorët, edhe pse janë të pakët, e ndryshojnë botën. Kështu tha Papa, sot paradite, gjatë Meshës Shenjte kremtuar para Domplatz (Katedrales) së Erfurtit, në të cilën morën pjesë tridhjetëmijë besimtarë. Kremtimi eukaristik qe një festë e madhe dhe e thellë feje: zëri i kambanave dhe entuziazmi i besimtarëve e pritën ardhjen e Papës Benediktit XVI në një ditë të mrekullueshme me diell. Katedralja gotike e shën Marisë dhe Kisha e shën Severit, të lartuara njëra pranë tjetrës mbi kodrën e Dombergut, i ftonin të pranishmit në lutje e në soditje. Gjatë homelisë, Papa Ratcinger falënderoi Zotin me gjithë zemër për mbarimin e diktaturave: ajo e ashtuquajtura “Reichu mijëvjeçar” që u bë hi e pluhur më 1945 dhe muri e teli me gjemba që u shkëmben më 1989. “Këtu në Tyringì e në DDR-in e atëhershëm – tha Papa – u është dashur të pësoni e të duroni një diktaturë të ‘murrmë’ (naziste) e një të ‘kuqe’ (komuniste), që për fenë e krishterë patën efektet që ka shiu acid. Shumë pasoja të mëvonshme të asaj kohe akoma sot duhen kapërcyer e gëlltitur, sidomos në fushën intelektuale e fetare. Pjesa dërmuese e njerëzve në këtë tokë jeton akoma larg nga feja në Krishtin e nga bashkimi i Kishës”. Në Erfurt katolikët janë vetëm 7% e banorëve. Liria e rifituar me rënien e diktaturës ateiste të komunizmit, ofron mundë të reja për Kishën që ka promovuar shumë nisma: “Por këto mundësi – pyet Papa – a thua vallë na kanë sjell edhe një rritje në fe? A mos ndoshta nuk duhet kërkuar rrënjët e thella të fesë e të jetës së krishterë gjetiu e jo në lirinë shoqërore? Shumë katolikë kanë qëndruar besnik ndaj Krishtit e ndaj Kishës pikërisht në situata të vështira të persekutimit e të shtypjes së jashtme. Ata kanë pranuar humbje e dëme personale vetëm e vetëm për të jetuar fenë e tyre”. Papa Benedikti XVI falënderoi të gjithë ata njerëz që vazhdojnë ta dëshmojnë Ungjillin në vështirësi e në rreziqe: “Posaçërisht në Eichsfeld – nënvizoi Ati i Shenjtë – shumë të krishterë katolikë i kanë qëndruar ideologjisë komuniste. Zoti e shpërbleftë me begati qëndresën e tyre në fe. Dëshmia guximtare dhe besimi i durueshëm në ndihmën e Zotit janë si farë e çmueshme që premton fryte të begatshme për të ardhmen”. Prania e Zotit shfaqet posaçërisht në mënyrë të qartë në shenjtorët e tij. E Benedikti XVI i kujtoi dëshmitarët e fesë të këtij rajoni gjatë shekujsh: Elizabeta e Tyringisë, që kaloi jetën në lutje, në varfëri ungjillore e duke ndihmuar të varfrit dhe të sëmurët. Bonifaci, themelues i Dioqezës së Erfurtit, që veproi në bashkëpunim të ngushtë me Papën i vetëdijshëm se Kisha duhet të jetë “një” rreth Pjetrit. Shën Kiliani, misionar me prejardhje nga Irlanda, i cili vdiq martir sepse kritikonte sjelljet moralisht të gabuara të dukës së Tyringisë. E së fundi shën Severi, Pajtor qiellor i Severkirche (Kishës severiane): “Po, Shenjtorët na tregojnë se është e mundur dhe është punë e mirë ta jetosh thellësisht e rrënjësisht marrëdhënien me Zotin, ta vësh Zotin në vend të parë e jo si një ndër realitetet tjera të jetës. Shenjtorët na bëjnë të qartë faktin se Zoti është i pari ai që na është drejtuar, që në Jezu Krishtin është shfaqur dhe na është zbuluar edhe ne. Krishti na vjen në takim, i flet çdonjërit dhe secilin e thërret ta ndjek pas”.
Mirëpo feja nuk duhet jetuar në mënyrë individuale: “Feja – vërejti Papa – është gjithmonë dhe thellësisht një besojmë e përbashkët me të tjerët. Asnjë njeri nuk mund të besojë i vetëm...fakti që mund të besojë, para së gjithash vjen nga Zoti që më drejtohet mua e, për t’u shpreh me fjalë të thjeshta, Ai e ‘ndezë’ fenë time. Por më konkretisht, feja ime vjen edhe nga ata njerëz që janë afër meje e që kanë besuar para meje dhe besojnë së bashku me mua. Kjo ‘me’, pa të cilën nuk mund të ketë fe personale, është Kisha”.
Feja autentike nuk fshihet në intimitetin privat, por ka vlerë e peshë publike: vërtet “Shenjtorët, edhe pse janë pakë, e ndryshojnë botën”, tha Papa e shtoi: “Kështu ndryshimet politike të vitit 1989 në Vendin tonë nuk qenë motivuar vetëm nga dëshira e mirëqenies dhe e lirisë së lëvizjes, por, në mënyrë vendimtare, edhe nga dëshira e së vërtetës. Kjo dëshirë është mbajtur gjallë, mes tjerash, edhe nga njerëz që kanë qenë krejtësisht në shërbim të Zotit e të afërmit dhe që kanë qenë të gatshëm ta flijonin deri edhe jetën personale”. Në mbarim të Meshës, mes duartrokitjeve të stuhishme të besimtarëve, filloi të binte kambana e njohur e Katedrales së Erfurtit, e quajtur “Gloriosa” (“Lavdishme”), e cila është më e madhja këmbanë mesjetare në botë, ndërtuar më 1497, me një lartësi prej 2 metra e gjysmë. Për Papën bëhet fjalë për një shenjë të gjallë të rrënjëve tona të thella në traditën e krishterë dhe një thirrje për t’u impenjuar në misionin e kumtimit të Ungjillit të gjithë njerëzve.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›