Shqipëria me ngjyra, e vitit 1912

"Shqipëri 1912" titullohet ekspozita që do të mbahet më 24 tetor në Tiranë, Fotografitë me ngjyra dhe filmat e Arkivave të Planetit (Les Archives de la Planète), të fondacionit Albert Khan, vijnë në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Janë 100 fotografi dhe 5 minuta xhirime të rralla, të cilat rikthehen në vendin ku lindën, shkruan portali BalkanWeb.
Përpos fotografive, atë ditë do shfaqet edhe dokumentari i Eol Çashkut, me muzikë të Inva Mulës, dhe me tekstin që lexohet nga Edmond Tupja.
"Në Tiranë, e pastaj edhe në Shkodër, pamjet e marra bëhen të ndryshme, duke krijuar një galeri të tërë me fotografi të shkrepura natyrshëm. Në një rrugë në Shkodër, e më pas edhe në një rrugë tregu me plot lëvizje, ata vendosin kamerën e tyre dhe filmojnë", shprehet drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, për ekspozitën e Brunhes dhe Leon.
Gjatë lëvizjes së tyre dy francezët nuk ndalen së fiksuari në celuloid çaste të ndryshme jete edhe në Shkup, Manastir dhe Strugë... E, në maj të vitit 1913, Leon dhe Brunhes vazhduan udhëtimin edhe nëpër Kosovë, dhe qëndruan në Prishtinë, Graçanicë, Lipjan dhe Prizren.
"Kjo është një pasuri, të cilën Ambasada e Francës në Shqipëri pati mirësinë t'ua ofrojë shqiptarëve si dhuratë për 100-vjetor të Pavarësisë", shton Marashi.
Perandoria Khan
Paka para nisjes së Luftës së Parë Botërore, e cila fillon të shfaqet që në fillim të shekullit 20, me antagonizma të mëdha dhe rivalitete vrastare, bankieri i pasur francez, Albert Kahn, bënë pjesë ndër njerëz të rrallë që besonin në idealin e paqes universale. Ai vendos që t'ia kushtojë një pjesë të mirë të pasurisë së vet vizionit të paqes, duke i bërë kështu përfitues gjithë njerëzimin, me zbulimet e fundit të bashkatdhetarëve të tij të mëdhenj, vëllezërve Lumière.
Albert Kahn krijoi "Arkivat e Planetit", i bindur se njohja e tjetrit është rruga më e sigurt që çon në respektimin e ndërsjellë të individëve dhe popujve. Ambicia e tij ishte që të dokumentonte historinë dhe të fiksonte në shiritin filmik mënyrën e jetesës dhe zakonet e shoqërive më të brishta, pak para se tëra të zhdukej përballë globalizmit që po shfaqej gradualisht.
Pikërisht me këtë qëllim, ai dërgon gjeografët dhe fotografët e tij në afro pesëdhjetë shtete të Evropës, Azisë dhe Afrikës.
Ndryshe, filantropi francez, Albert Kahn (1860-1940), në vitin 1909 mori përsipër realizmin e një projekti ambicioz, atë të krijimit të një koleksioni fotografik dhe filmik të të gjithë popujve të botës. Kahn, që ishte bankier me profesion, i kishe mundësitë financiare për ta bërë këtë gjë, sepse konsiderohej si njëri ndër njerëzit më të pasur në Europën e asaj kohe.
Por, në fund të vitit 1929, bashkë me rënien e Wall Street’it ndodhi edhe rënia e perandorisë Kahn. Për shkak të krizës financiare, në vitin 1931, Kahni u detyrua të hiqte dorë nga projekti “Arkivat e Planetit”, i cili zgjati nga viti 1909 e deri më 1931.
Arkivi i tij, i cili sigurisht që paraqet një pasuri për gjithë popujt e botës, aktualisht ruhet në bodrumet e njërës nga pronat e tij, në afërsi të Parisit. “Arkivat e Planetit” sot konsiderohet koleksioni më i rëndësishëm i fotografive të vjetra me ngjyra.