E Diel, 1 Nëntor 2026

'Kolona' fiton çmimin e publikut në Warsaw Film Fest

Filmi i shkurtër kosovar ‘Kolona’, në regji të Ujkan Hysajt, ka fituar çmimin e publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë të Polonisë.

Pas suksesit në Monterrey të Meksikës, ku fitoi çmimin filmi më i mirë i shkurtër ndërkombëtar, filmi 'Kolona' merr çmimin e audiencës në edicionin e 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë të Polonisë, që u mbajt nga data 12 deri më 21 tetor.

Me te kuptuar lajmin regjisori Ujkan Hysaj tha: “Më të kumtuar lajmin nga Warsaw Film Fest, u ndjeva shumë mirë dhe shumë i vlerësuar, sepse çmimi i publikut tregon vlerësimin më real që mund të bëhet në ndonjë festival, ndërsa vlerësimi i jurisë gjithmonë mund të jetë relativ për arsye të shijeve të ndryshme. Publiku polak është publik me traditë shumë të madhe në kinematografi dhe po ai publik neve na ka vlerësuar si filmi më i mirë për ta. Kjo do të thotë shumë për kinematografinë e vendit tonë.”

Kohë më parë filmi 'Kolona' po ashtu u shfaq edhe në Abu Dhabi Film Festival në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Filmi 'Kolona' është bashkëprodhim i AJO Pictures dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës. Skenari është shkruar nga Besian Hysaj, ndërsa regjia është bërë nga Ujkan Hysaj. Në rolet kryesore luajnë: Sunaj Raça, Arbnesha Grabovci-Nixha, Irena Cahani, Don Raça, Enis Krapi, Vllado Jovanovski, Bislim Muqaj.

Fatos Berisha, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, u shpreh se ky është një lajm i mirë për regjisorin Ujkan Hysaj, ekipin e filmit, por edhe për Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe industrinë e filmit të Kosovës. Ai shpreson se ky nuk do të jetë çmimi i fundit për këtë film.

“Presim ende lajme të mira nga ky film, por edhe nga filmat tjerë, si 'Shkurta' i Arzana Krajes, që do ta ketë premierën në Rio Film Fest e pastaj edhe në Cottbus të Gjermanisë, si dhe 'Agnus Dei' i Agim Sopit, që është ftuar në një festival të rëndësishëm aziatik”, tha Berisha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›