Shqipëria merr kryesimin e Procesit të Bolonjës
Prej korrikut, Shqipëria dhe Belgjika marrin kryesimin Tafaj: Të liberalizohen vizat, të pranohet Kosova
Në muajin korrik, Shqipëria do të marrë, së bashku me Belgjikën, kryesimin e Procesit të Bolonjës, teksa vendi ynë është pranë reformimit më të rëndësishëm të arsimit të lartë, pas ligjit të vitit 2006. Ministri Tafaj prezantoi dje objektivat e kësaj presidence, gjatë takimit të 46 ministrave të Arsimit të vendeve anëtare të Procesit të Bolonjës, që u mbajt në Budapest të Hungarisë e në Vjenë të Austrisë gjatë dy ditëve të fundit.
Në këto takime, ministri Tafaj kërkoi në mënyrë të shpejtë liberalizimin e vizave, duke u nisur edhe nga fakti i mobilitetit të studentëve shqiptarë.
Mobiliteti i studentëve zhvillohet kryesisht në kuadër të programit TEMPUS dhe Erasmus Mundus, por ai është i pamjaftueshëm. Regjimi i vizave është një pengesë nganjëherë serioze për mobilitetin e studentëve dhe pedagogëve. Ky është një argument më shumë për liberalizimin e vizave aq më tepër që Shqipëria ka bërë një progres evident në përmbushjen e kritereve të kërkuara, - u shpreh Tafaj.
Ndërkohë që si objektiv u vendos edhe aderimi i Kosovës në këtë proces. Në fjalën e tij, ministri shqiptar i Arsimit dhe Shkencës, duke përshëndetur aderimin e Kazakistanit si vendi i 47-të i Procesit të Bolonjës, kërkoi gjithashtu edhe pranimin e Kosovës në të.
Republika e Kosovës ka ndërtuar politikat e Arsimit të Lartë mbështetur në principet e Bolonjës. Sa kohë ministri i Arsimit të Kosovës nuk do të ftohet në këtë tavolinë, studentët dhe profesorët e këtij vendi të pavarur do ta lexojnë këtë mesazh si barrierë për mobilitetin e tyre dhe bashkëpunimin me homologët në Evropë. Ne mendojmë se duhet gjetur rruga më adekuate për ti krijuar Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera aspiruese mundësinë e aderimit në Procesin e Bolonjës, - përfundoi Tafaj.
Shqipëria dhe Belgjika do të jenë në 6 muajt e ardhshëm bashkëkryesuese të Procesit të Bolonjës. Në përfundim ministri i Arsimit dhe Shkencës siguroi homologët e tij se qeveria e Shqipërisë është e vendosur të mbështesë me përparësi zhvillimin e shpejtë të arsimit të lartë, duke iu përmbajtur politikave evropiane të arsimit të lartë dhe principeve të Procesit të Bolonjës.
Në këtë takim ministri shqiptar i Arsimit dhe Shkencës, z. Tafaj, vlerësoi se arsimi parauniversitar dhe ai i lartë në Shqipëri në këto vite ka pësuar reforma të thella.
Në këto vite është rritur ndjeshëm numri i studentëve, është zgjeruar arsimi privat cilësor, janë shpallur strategji afatgjata për rritjen e investimit total, publik dhe privat, është shtrirë internet në çdo shkollë e universitet e janë hartuar strategjitë e arsimit të lartë e kërkimit shkencor, teknologjisë e inovacionit sipas tendencave evropiane, - tha Tafaj.
Ministri Tafaj cilësoi se Shqipëria ka bërë përpjekje serioze dhe sistematike për reformimin e kurrikulës dhe strukturës së studimeve të Arsimit të Lartë në përputhje më parimet e Procesit të Bolonjës dhe universitetet shqiptare kanë një bashkëpunim intensiv me rajonin e më gjerë, në kuadër të programeve të BE-së.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në sfidën kryesore afatgjatë, atë të rritjes së cilësisë në arsimin shqiptar, vlerësoi se objektivi kryesor në Arsimin e Lartë është arritja e standardeve evropiane jo vetëm në akses, por edhe në cilësinë e studimeve. Procesi i Bolonjës ka nisur 10 vite më parë, ndërsa Shqipëria ka aderuar në Kartën e Bolonjës në vitin 2003.