E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëria merr pjesë në panairin ndërkombëtar të turizmit “Fitur 2025” në Madrid

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Shqipëria nga sot do të jetë e pranishme në hapësirën e dedikuar për vendin tonë në panairin më të madh të turizmit në botë, “Fitur 2025”. Ky panair nis sot dhe do të përfundojë në 26 janar, ku shtete të ndryshme nga e gjithë bota do të prezantojnë ofertat e tyre turistike.

Bukuritë natyrore të Shqipërisë, plazhet, biodiversiteti i pasur, bujtinat e shpërndara në të gjithë vendin, turizmi malor në alpe, sportet ujore, agroturizmi dhe gastronomia e pasur me gamë ushqimesh tradicionale do të prezantohen para më shumë se 9000 ekspozuesve të këtij panairi.

“Fitur 2025” në Madrid është një nga ngjarjet më të rëndësishme sa i takon turizmit, ku shtetet pjesëmarrëse, bëhen shembull për të prezantuar gamën e produkteve dhe strategjive të turizmit, ndërkohë që promovohen destinacione të veçanta nga turizmi malor, agroturizëm, plazhet, etj.

Nën sloganin “Albania, all senses”, Shqipëria synon tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave pozitive e të qëndrueshme në turizëm që promovojnë destinacione të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.

Gjatë ditës së sotme në panair, do të ketë një panel me të ftuar që do të diskutojnë për kulinarinë shqiptare, traditat e gastronomisë dhe plot detaje të tjera. Armando Muça, CEO i “Albanian Nights”, qendrës më të re kulturore që ka hapur dyert në kryeqytet para disa kohësh, do të jetë i pranishëm për të ndarë përvojat e gastronomisë vendase, bashkë me një panel ekspertësh, mes tyre Johana Bano, Fabjola Arapi, Nikolin Kola dhe Jonida Shkjau.

Më pas, do të prezantohet platforma “Sofat”, që lidhet me kërkimet në pjesën historike dhe kulturore në pikat më strategjike të vendit. Punimet e panairit do të vazhdojnë me një prezantim të “Albanian Nights” dhe më pas me një prezantim virtual të vendeve më të bukura për t’u eksploruar gjatë gjithë vitit në Shqipëri nga turistët.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro është shprehur se Shqipëria turistike po prezantohet në panairin gjigant të turizmit global në Madrid, tashmë një traditë, dhe çdo herë me një imazh të ri, emocione e përvoja të reja që vendi ynë me natyrë të egër, por me shpirt mikpritës ofron.

“Plazhe të bukura, maja madhështore, biodiversitet i pasur, sporte ujore e ferma idilike…prej kur dielli ngre kryet në alpe e deri kur perëndon në Adriatik, Shqipëria është plot ndjesi, shije e ngjyra dhe e tillë do të prezantohet para më shumë se 9000 ekspozuesve të këtij panairi, në takimet e nivelit të lartë dhe publikun pjesëmarrës në Fitur 2025”, tha Kumbaro.

Për panairin “Fitur 2025” në Madrid, ka reaguar sot edhe kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, i cili informoi për pjesëmarrjen e Shqipërisë në FITUR Madrid, një prej panaireve gjigante të turizmit në botë, me fokus në tregun spanjoll dhe atë latin.

“Prej vizitorëve që po shtohen vit pas viti, që nis sot për të prezantuar emocione e përvoja të reja që vendi ynë ofron”, theksoi kryeministri Rama.

Vizitorët nga Spanja janë rritur ndjeshëm vitet e fundit në Shqipëri, ku në vitin 2024 u pritën rreth 110 mijë spanjollë ose 26% më shumë, teksa fluturimet direkte me disa qytete spanjolle dhe investimet në struktura hoteliere, siç është gjiganti “Melía”, konsolidojnë gjithnjë e më tepër këtë marrëdhënie mes Shqipërisë dhe Spanjës.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›