E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria merr statusin e vëzhguesit të përhershëm në OAS

Shqipëria merr statusin e vëzhguesit të përhershëm në Organizatën e Shteteve Amerikane. Shtetet anëtare të Këshillit të Përhershëm të Organizatës së Shteteve Amerikanë (OAS) votuan në unanimitet për dhënien e statusit të vëzhguesit të përhershëm vendit tonë.
Organizata e Shteteve Amerikane (OAS), është një organizatë ndërkombëtare, Sekretariati i së cilës ndodhet në Uashington. Në të aderojnë të gjithë shtetet e Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore dhe Amerikës Latine, si anëtarë me të drejta të plota. Ndërkohë, statusin e vëzhguesit të përhershëm e kanë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, si dhe vende të tjera të rëndësishme të Evropës, Azisë dhe Afrikës.
Duke pasur parasysh rëndësinë globale të Organizatës së Shteteve Amerikane(OAS), Shqipëria, vlerëson se angazhimi i saj në OAS, do të rrisë efektivitetin dhe vizibilitetin e aksionit dhe angazhimit të saj diplomatik për të kontribuar në çështje të rëndësishme me interes të OAS, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me vendet anëtare për çështje me interes të ndërsjelltë.
Nga ana tjetër, Shqipëria është e bindur se duke u bërë pjesë e Organizatës së Shteteve Amerikanë (OAS), do të promovojë rolin e organizatës konform statutit të saj, në interes të dialogut politik mes palëve, forcimit dhe ruajtjes së paqes, respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe shtetit ligjor, bashkëpunimit ekonomik e social, promovimit të demokracisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, zgjidhjen paqësore të konflikteve mes palëve, etj.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›