E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria ndal Etonë, De Biazi fiton talentet

Shqipëri-Kamerun 0-0

Shqipëria ndal “luanët” e Afrikës, ndërsa De Biazi fiton të ardhmen. Në Gjenevë, kuqezinjtë luajnë si të barabartë ndaj një superskuadre si Kameruni, madje s’do kishte qenë aspak mëkat edhe nëse do kishim fituar. Në fakt, pakkush kishte besuar te kjo Shqipëri, dhe ca më pak te disa të rinj të ardhur rishtazi në Kombëtare. Por 90-minutëshi i djeshëm, më shumë sesa rezultati, tregoi se me teknikun italian kemi fituar një skuadër edhe për të ardhmen. Etrit Berisha është një konfirmim në katërkëndor, aq sa tekniku nuk tentoi as t’i jepte pak minuta Ujkanit. Arapi bëri një debutim të jashtëzakonshëm në krahun e majtë të mbrojtjes, aq sa i lejon vetes një 90-minutësh të plotë. Lilaj, edhe pse u aktivizua vetëm një pjesë loje, ishte perfekt jo vetëm në rikuperimin e topit në mesfushë, por edhe në fantazinë që i jepte lojës së kuqezinjve. Ndërsa Sadiku dhe Çani treguan edhe një herë se Shqipëria nuk mund të varet vetëm nga Bogdani dhe Salihi (të pagrumbulluar për këtë ndeshje). Debutim pozitiv edhe për Balën dhe Vajushin, dhe konfirmim i mbrojtjes me një Mavraj të pakalueshëm dhe Canën të kudogjendur. Shqipëria e nisi në mbrojtje takimin, kjo nisur edhe nga emri i madh i kundërshtarit, ndaj minutat e para flasin për Kamerunin. Gjithsesi, Eto & CO nuk arrijnë për asnjë çast të çajnë mbrojtjet e kuqezinjve, duke bërë që me kalimin e minutave të kishim një spostim të skuadrës sonë në drejtim të mesfushës së afrikanëve. Bulku provon nga jashtë zonës, ndërsa kombinimet e bukura dhe të sakta të Lilajt, Çanit dhe Sadikut i japin një tjetër fizionomi lojës së kuqezinjve. Na mungon vetëm finalizimi, aty ku mbrojtësit e Kamerunit janë gjithnjë një kohë më shpejt se sulmuesit kuqezinj. E megjithatë, është një Shqipëri që i kalon parashikimet e prag-miqësores. Në fund të pjesës së parë provon Cana e Sadiku nga larg, por në të dyja rastet sfera s’pranon të prekë rrejtën. E njëjta skenë edhe në fraksionin e dytë të lojës, por me një ndryshim më thelbësor, pasi për minuta të tëra janë kuqezinjtë që imponojnë me lojën e tyre. Madje kemi edhe një penallti të qartë për Shqipërinë, por fatkeqësisht nuk shihet nga arbitri zviceran. Sakaq provon Cana, Bulku, Çani dhe në të tria rastet portieri i Kamerunit tregon instinktet fenomenale që zotëron. Afrikanët rrezikojnë vetëm një herë seriozisht portën e Berishës, dhe natyrisht këtë e bëjmë me Samuel Etonë. Këtij të fundit i mjafton vetëm një moment dalldisjeje e kuqezinjve për të shmangur me radhë dy mbrojtës, por në momentin e fundit i ndërhyn saktë Dallku. Shqipëria kalon këtë moment të keq dhe menjëherë reagon me Sadikun: krosim perfekt i Bakajt dhe sulmuesi i Luganos nuk arrin për vetëm pak milimetra të gjejë portën. Ndërkohë Bakaj tregon edhe një herë momentin e mirë që po kalon pas dëmtimit dhe servir dy herë radhazi, për Çanin në fillim dhe më pas për Vajushin, dy pasime perfekte që nuk shfrytëzohen në maksimum nga dy shkodranët. Gjithsesi, është një Shqipëri punëtore, me lojtarë që vrapojnë vazhdimisht, edhe pse një pjesë e tyre, si Lila, Cana, Arapi apo Mavraj u lanë në fushë deri në fund. Barazim i bardhë, që ngroh jo vetëm për faktin se u arrit ndaj një kundërshtari shumë të fortë, por edhe se prova e kuqezinjve (sidomos të rinjve) ishte më shumë se bindëse.

Trajneri i Kombëtares, De Biazi

“Të rinjtë më bindën, por mund të fitonim”
Xhani de Biazi e mbylli me një bilanc pozitiv një vit kalendarik në krye të Kombëtares shqiptare. Në miqësoren e djeshme u tregua i kujdesshëm, veçanërisht për të mos e humbur ndeshjen, por në disa raste të mira kuqezinjtë edhe mund ta kishin fituar ndeshjen. “Skuadra luajti mirë dhe tregoi personalitet në fushë. Meritonim të fitonim, sidomos në pjesën e dytë, kur u bëmë ne zot të fushës”, ka deklaruar trajneri i kuqezinjve pas ndeshjes për “Supersport”. “Jam shumë i kënaqur nga loja që zhvilluam. Ishte një test që më duhej shumë për këtë grup, pasi doja që të shikoja disa lojtarë të rinj, të grumbulluar rishtazi. Më pëlqyen shumë të rinjtë. Vuajtëm pak në fillim, por kjo ishte e kuptueshme, pasi kishim të bënim me një skuadër shumë herë më të fortë sesa ne, me lojtarë të cilët luajnë në kampionate të forta dhe me skuadra elitare. Gjithsesi, në pjesën e dytë ndryshuam diçka, por duhej të kishim fituar. Patëm disa raste shumë të mira, të cilat me pak më shumë qetësi mund t’i kishim finalizuar edhe më mirë. Sa u përket lojtarëve të rinj, varet nga ata se kush do të luajë. Unë dua që të kem sa më shumë mundësi zgjedhjeje dhe varet nga ata se cili do të ecë më mirë me skuadrat ku ata aktivizohen. Gjithsesi, për sonte (dje) jam shumë i kënaqur me performancën e tyre”, ka thënë De Biazi.

Shqipëri-Kamerun 0-0
Shënues:
S’ka
Kartonë të verdhë: Bedimo 38′
Gjyqtarë: Stefan Studer/ Johanes Vogel dhe Zhon-Iv Visht (ZVI)
Shqipëria: E.Berisha, Lila, Cana, Mavraj, Arapi, Roshi (Vangjeli 77′), Lilaj (Curri 46′), Bulku (Dallku 59′), Vila (Bakaj 59′), Sadiku (Vajushi 70′), Çani (Bala 77′). Trajner: Xhani de Biasi
Kameruni: Asembé, Niom (Bong 57′), Nkoulou, Bijik, Bedimo, Matip, Makoun (Mevoungou 78′), Emana (Ngomo 57′), Olinga (Songo 62′), Uebo, Eto’o. Trajner: Zhon-Pol Akono

Debutuesit, bind Arapi mirë Lilaj
Renato Arapi, Armando Vajushi dhe Bekim Bala janë tri prurjet e reja të Xhani de Biazit. Që të tre lojtarët kanë bërë dje në mbrëmje debutimin zyrtar me fanellën e Kombëtares. Për sqarim, Arapi dhe Vajushi kanë qenë me kuqezinjtë edhe në ndeshjen e 20 qershorit të vitit 2011 ndaj Argjentinës, ku kanë luajtur, por duhet saktësuar se ajo ndeshje nuk njihet nga FIFA, sepse është luajtur në një datë të paprogramuar nga kjo e fundit. Pikërisht për këtë arsye, si debutim për këta dy lojtarë mbahet takimi ndaj Kamerunit. Duhet thënë se që të tre, pa përjashtim, kanë treguar nivel loje, ndaj mund të konsiderohen pa frikë si tre të rinj të fituar.

Kameruni vjen vonë, sfida nis me vonesë
Ndonëse të dyja ekipet duhej të ishin në ambientet e stadiumit një orë e gjysmë para fillimit të ndeshjes, pra në orën 19:15, afrikanët kanë mbërritur me plot 45 minuta vonesë, pra në orën 20:00. Një gjë e tillë është vënë re jo vetëm nga gjyqtari i katërt, por edhe nga vëzhguesi i FIFA-s. Kamerunasit janë futur me vrap të bëjnë nxehjen dhe natyrisht, më pas e kanë pasur të pamundur që të nisnin lojë në orarin e vendosur më parë, pra në orën 20:45. Kështu, ky takim ka nisur ekza-ktësisht në orën 20:53, me rreth tetë minuta vonesë. Nuk është kuptuar, ose më mirë nuk është dhënë asnjë informacion mbi këtë incident.

Duka-Platini për ndërtimin e stadiumit
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka takuar dje para ndeshjes presidentin e UEFA-s, Mishel Platini. Tema e bisedës ka qenë ndërtimi i stadiumit të ri, ku një pjesë e mirë e parave vijnë nga një fond, ose më mirë donacion i UEFA-s dhe FIFA-s. Duka e ka njoftuar presidentin e UEFA-s për kompletimin tashmë të të gjithë dokumentacionit dhe marrjen edhe të miratimit nga ana e MTKRS-së dhe qeverisë shqiptare për prishjen dhe më pas ndërtimin e stadiumit të ri. Sakaq, kreu i FSHF-së ka kërkuar nga Platini që tashmë UEFA të japë fondin që i ka dedikuar në rastin konkret Federatës sonë.

LEONARD KARAJ


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›