E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në Kinemanë e saj

Valeria Dedaj

Me rastin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, nga data 2 deri më 5 qershor, Shoqata Occhio Blu-Anna Cenerini Bova, sjell në kinemanë Casa del Cinema të Romës, Shqipëria në kinemanë e saj. Janë filmat më përfaqësues të kinemasë së re shqiptare, realizime pas vitit 1990. Fjala është për: Slogans, Kolonel Bunker, Muaj mjalti, Tirana Viti 0, Trishtimi i Zonjës Shnajder, Natë pa hënë, Vdekja e Kalit dhe Amnistia, prezantimi i të cilëve do të bëhet nga regjisorët përkatës në kinemanë Casa del Cinema, në sallat Sala Deluxe dhe në Replikon Sala Kodak.

Filmi i parë, më 2 qershor është Slogans i Gjergj Xhuvanit, i vetmi në historinë tonë të kinemasë, i seleksionuar në Festivalin e Kanës, në Quinzaine Des Realisteurs. Pas tij, shfaqet Kolonel Bunker për të cilin regjisori Kujtim Çashku do të bëjë një bisedë me spektatorët. Më 3 qershor, ora 11.30 dhe 21.30 shfaqet Muaj mjalti i regjisorit serb Goran Paskaljeviç. Është i pari bashkëprodhim shqiptaro-serb që akoma sot paraqet si një nga bashkëpunimet e pakëta kulturore midis dy shteteve në fjalë. Michele Placido është i ftuar special të dielën, më 3 qershor, së bashku me regjisorët Piro dhe Eno Milkani për të prezantuar Trishtimi i Zonjës Shnajder 2008.

Natë pa hënë i regjisorit Artan Minarollit shfaqet më 3 qershor ora 21.00, e në vazhdim, Vdekja e Kalit (1992) i Saimir Kumbaros, Tirana, viti zero 2001 i Fatmir Koçit dhe Amnistia (2011) i Bujar Alimanit. Nëpërmjet këtij prezantimi, shoqata Occhio Blu-Anna Cenerini Bova ka për qëllim të bëjë të njohur kulturën e shoqërisë shqiptare.

Në raportet mes dy shteteve, Itali dhe Shqipëri, njohja dhe mirëkuptimi janë kryesore për të zhdukur hijet e errëta të së kaluarës që sot ende janë origjina e stereotipave dhe i mosbesimit, që mund të frenojnë zhvillimin e një bashkëpunimi në të gjitha fushat, thuhet në njoftimin për shtyp të shoqatës e cila ka për president ish ambasadorin italian në Tiranë Mario Bova.

Të ftuar specialë në mbrëmjen e hapjes janë regjisorët italianë, Giuliano Montaldo dhe Marco Bellocchio.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›