E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në NATO, Rumania ratifikon protokollin

Rumania ka ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke u bërë i gjashti vend që e miraton këtë protokoll brenda një muaji.

Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Kuvendit "ky ratifikim është shprehje e mbështetjes së vendeve të NATO-s dhe të BE-së, ndaj një partneri serioz si Shqipëria, shprehje e besimit ndaj reformave dhe progresit të arritur. Ky është vlerësim jo me fjalë, por me vepra, me votë pro Shqipërisë në Aleancë".

Rumania ratifikon këtë protokoll pas Senatit amerikan, ratifikim që u votua unanimisht edhe nga parlamentet e Hungarisë, vendeve balltike dhe Polonisë.

Pas marrjes së lajmit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i shprehu mirënjohjen deputetëve dhe senatorëve rumunë, si dhe miqve të saj, Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë, Bogdan Olteanu dhe Presidentit të Senatit të Rumanisë,Nicolae Vacaroiu, për impenjimin e tyre në futjen e shpejtë në axhendën parlamentare të këtij ratifikimi dhe për besimin e tyre tek Shqipëria dhe reformat e realizuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›