E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Kosova është vend i hapur

Në takim vjetor të Akademisë për Paqe që po mbahet ne Fiuggi të Italisë, kryeministri i Republikës se Kosovës, Hashim Thaçi, e ka prezantuar Kosovën si “një tregim të suksesshëm të bashkësisë ndërkombëtare”.

Ndërsa në takimet që ka zhvilluar me diplomatë nga vende të ndryshme të botës, kryeministri Thaçi ka marrë garanci për njohje të mëtejshme të shtetit të Kosovës.

“Kosova është një tregim i suksesshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Kosova si shtet i pavarur dhe demokratik është një vend i hapur, prandaj edhe ndikohet nga zhvillimet globale. Ne kuadër te trendëve globale, Kosova me hapa të sigurt është duke ecur drejt integrimit ne BE dhe në NATO”, ka thënë ndër të tjera Thaçi në paraqitjen e tij para kësaj akademie.

Ndërkaq, në kuadër të takimeve bilaterale, Thaçi është takuar me Princin Turki Al Faisal Al Saud (Kryesues i Qendrës së Mbretit Faisal për Studime Islamike) të Arabisë Saudite, me ish-presidentin rumun, Ion Iliescu dhe ish-kryeministrin rumun, Adrian Nastase, si dhe me përfaqësuesit e Republikës Demokratike të Kongos, Jordanisë, Pakistanit dhe të Guinesë.

Në të gjitha këto takime, Thaçi ka prezantuar arritjet e deritanishme të Kosovës në zhvillimet e brendshme dhe ndërkombëtare, duke e theksuar domosdoshmërinë e njohjes se pavarësisë së Kosovës nga shtetet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

“Njohja e shtetit të pavarur të Kosovës i kontribuon paqes dhe stabilitet në rajon”-, ka thënë kryeministri Thaçi.

Pothuaj, të gjithë përfaqësuesit e shteteve me të cilët është takuar kryeministri Thaçi -sipas kësaj komunikate - kanë dhënë sinjale pozitive se shumë shpejt vendet që përfaqësojnë ata do të lëvizin drejt njohjes së Republikës së Kosovës, “sepse një veprim të tillë e konsiderojnë krejt real në zhvillimet ndërkombëtare”. /Telegrafi/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›