Sëmundjet nga stresi? Tani të provuara shkencërisht
Kërkimet e 20 viteve të fundit tregojnë se tani nuk ka më asnjë hije dyshimi që stresi është në gjendje të influencojë në mënyrë negative te shëndeti dhe madje të ‘prodhojë’ sëmundje.
Së fundi këtë e dëshmon Massimo Biondi, drejtor i departamentit të shkencave psikiatrike dhe psikologjisë në Universitetin e Romës dhe për këtë do të mbajë edhe një relacion të gjerë në një kongres të dedikuar marrëdhënies mendje-trup, parashikuar të zhvillohet në Romë në 24-26 tetor.
“Disa sëmundje në fakt, si infarkti i miokardit, disa sindroma të metabolizmit dhe sëmundje si skleroza dhe deri llojet e ndryshme të kancerit ndikohen ose modifikohen nga elementë stresantë të jetës së përditshme të njerëzve”- shpjegon Biondi.
Sipas tij, ka një lidhje të provuar në mënyrë shkencore të efektit stres në organizmin e njeriut. Për këtë, në diskutimin e tij në kongres ai do të prezantojë të dhënat e fundit të literaturës, që bëjnë lidhjen e stresit kronik me problemet e zemrës, organet e brendshme, sistemin muskular, sistemin endokrin dhe atë imunitar.
Në fund, do të prezantohet edhe roli i terapisë në raste të tilla. Në ndihmë sipas tij vjen psikoterapia, e cila në këto raste ndihmon ata që janë shumë të stresuar, ose që përvoja të ndryshme në jetë i marrin me ankth dhe stres. Fjalët, thekson ai kanë një efekt në biokiminë e trurit.