Shqipëria në Toskanë, një ekspozitë kundër stereotipave
Aktiviteti
Skulptorja Liljana Kosturi, piktorët Bardhyl Alibali e Alban Berberi, si dhe fotografët Altin Shuaipi e Lek M. Gjeloshi do të paraqiten në një ekspozitë të përbashkët në Firence të Italisë. Nën titullin “Shqipëria në Toskanë. Kur kultura kthehet në urë”, kjo ekspozitë, e cila do të çelet më 5 shkurt, vjen si një iniciativë e shoqatës shqiptare “Rilindja”, ASUF (“Albanian Student of University of Florence”) dhe “Lidhja e Artistëve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Toskanë” (L.A.S.A.T). “Shqiptarët në Toskanë” është një mënyrë ndryshe për të dhënë një mesazh dhe për të zbehur pak ndikimin e gjithë informacioneve jo rrallëherë edhe të rreme që shfaqet në media në lidhje me komunitetin e shqiptarëve në Itali. Bëhet fjalë për një fushatë në të cilën do të marrin pjesë shoqata të ndryshme, për të luftuar stereotipin që fshihet nën përcaktimin “shqiptar”. Dhe për të realizuar objektivin, shqiptarët e Italisë kanë gjetur mjetin më të mirë me të cilin mund të përfaqësohen denjësisht, kulturën. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 shkurt në “Shtëpinë e krijimit” në Firence.
#