E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimet, nisin ankesat në Shkodër

Grupet e verifikimit kërkojnë fakte për çdo dëm, por bagëtitë që mori uji nuk mund të fotografohen
Ndonëse grupet e verifikimit janë në terren dhe autoritetet thonë se po vazhdon shpërndarja e ndihmave për të cilat kanë nevojë fermerët e zonës së përmbytur, në Nënshkodër kanë nisur të ndihen pakënaqësitë. Lush Ndoci, banor i fshatit Trush të Bërdicës, ka zgjedhur dje një mënyrë origjinale për të protestuar para komunës për mungesën e ndihmës së premtuar. Ai është bari dhe e siguron jetën nga tufa e tij e deleve, por pas përmbytjes, dhentë po ngordhin çdo ditë për shkak të mungesës së ushqimit, si dhe për shkak të dëmtimeve fizik nga përmbytja. Në shenjë proteste fermeri Ndoc Lushi ka shkuar para Komunës së Bërdicës me dy qengja të ngordhur në duar. Ai ka kërkuar ndihmën e shtetit që të ndërhyhet sa më parë, pasi në këto kushte ekonomia e tij po shkatërrohet.
“Gjatë përmbytjes, stallat e bagëtive janë mbuluar të tëra nga uji. Unë kam 200 krerë dhen dhe m’u mbytën 15 qengja e 4 dele. Jam harruar nga shteti dhe mendoj për të vetmen arsye se jam i deklaruar si i majtë gjatë gjithë kohës”, thotë Lush Ndoci. Ai tregon se çdo ditë po i ngordhin bagëtitë nga dëmtimi fizik që është shkaktuar nga përmbytja, ndërsa ekspertët i thonë se për çfarë ngordh pas përmbytjes nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk e shënojnë dot si pasojë e përmbytjes. “Nuk di kujt t’i drejtohem për ndihmë. Puna e gjithë jetës sime po shkatërrohet. Kam tetë fëmijë dhe gruan që jetojmë vetëm me delet dhe në këto momente, nuk kam më se i ushqej as delet as robt e shtëpisë. Nuk di pse po ndëshkohemi në këtë mënyrë”, thotë i dëshpëruar bariu.
Ai sqaron se nuk kërkon të përfitojë nga situata e krijuar, por të marrë vetëm atë që i takon: “Që shteti të më dëmshpërblejë për atë çfarë më ka dëmtuar”. Lush Ndoci thotë se nuk kishte gjetur rrugë tjetër për të bindur autoritetet për hallin që e ka zënë, përveçse të sillte me vete para dyerve të komunës bagëtitë e ngordhura. “Mbase mediat e dërgojnë hallin tim tek ato që nuk kanë dëshirë të dëgjojnë. Unë e kam deklaruar se kam votuar për të majtën dhe nuk duhet të ndëshkohem për bindjet e mia politike, pasi jam shtetas shqiptar dhe shteti më detyrohet për atë çfarë më ka dëmtuar”, thotë bariu, duke përsëritur se “nëse nuk vë dorë shteti, jeta ime dhe e tetë fëmijëve të mi është në rrezik. Ai tregon më tej se familja nuk është kthyer ende në banesë, sepse dëmet e përmbytjes nuk janë riparuar.
Ndërkohë, grupet e verifikimit kanë nisur të hasin problemet e para në zonë, për rastet kur fshatarët deklarojnë se bagëtitë ua ka marrë uji. Sipas rregullit të vendosur nga qeveria, grupet e verifikimit mbajnë shënim vetëm për dëmet e dukshme. Pra çdo dele që shënohet e ngordhur duhet të shikohet me sy, gjë që nuk është e mundur në shumë raste. Verifikimi i bagëtive të ngordhura ka sjellë përplasjet e para mes grupeve të verifikimit dhe të dëmtuarve. Banorët thonë se ka qenë e pamundur të kontrollonin situatën në kohën e përmbytjes, sepse autoritetet u bënin presion të braktisnin sa më parë shtëpitë. “Na thanë të iknim se do të na paguanin për çdo humbje, por tani na kërkojnë fakte për gjithçka që deklarojmë të humbur”, thotë një banor i Bërdicës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›