E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në grykën e pusit

U promovua dje romani i parë i autorit Arben Shehu, titulluar “Gryka e pusit”, botim i shtëpisë botuese “Toena”. Shehi, me profesion arkitekt, është autor i një seri shkrimesh e qëndrimesh estetike për arkitekturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm në përgjithësi, ndërsa prej vitesh lëvron me sukses poezinë, duke i sjelle lexuesit përmbledhjet poetike: “Pika e djersës” (1981), “Rikthim drejt gjërave që i kam dashur”(1996); dhe “Gjysma e heshtjes” (2001). Libri i tij më i fundit “Kohë për askund” (2009, një homazh për qytetin e lindjes, Shkodrën), u prit mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika letrare. Kjo përmbledhje poetike sapo është botuar në Francë nga “Editions Baudelaire”(2011) dhe është në proces botimi në Itali dhe Austri.

Romani "Gryka e pusit" është një pasqyrë e mjedisit mbytës, impotent e absurd që dominonte shoqërinë shqiptare, veçanërisht intelektualët në vitet e diktaturës. Ngjarjet e vendosura në Institutin Shtetëror të Projektimit në Tiranë sjellin me detaje mbresëlënëse të situatave një panoramë sa kurioze për ata që nuk e kanë jetuar; nostalgjikë për bashkëkohësit, aq edhe të trishtë e të pabesueshme të mediokritetit të ngritur në kult. Me karakteret e punuara mjeshtërisht e me doza të forta groteske, autori sjell një realitet që në momente të caktuara nuk duket larg atij të sotmit.

"... Në mesin e viteve ‘80, Argent Boksi, një arkitekt i ri dhe i talentuar “i sjellë me grup pune” në Institutin Shtetëror të Projektimit, befas vihet në dijeni të disa thashethemeve në lidhje me një projekt të tij të para disa kohëve. Përpjekjeve të tij të kota për të marrë vesh diçka reale përtej këtyre thashethemeve i bashkohen edhe kolegët e zyrës: Hektori, miku i tij më i besuar dhe Diana Dardha, gruaja bukuroshe e një zyrtari të lartë të administratës partiake. Duket absurde por, ndonëse vlerësuese për atë projekt, të cilin ai vetë e konsideronte pa vlera, janë pikërisht ato “vlerësime” që, nëse do të vërtetoheshin, mund të rezultonin fatale për fatin e tij. I lodhur nga hamendjet zhbiruese për të vërtetën torturuese, ai detyrohet të presë që gjithçka të rrjedhë sipas drejtimit, të cilin ai nuk ka më asnjë mundësi ta ndryshojë. Një seri ndodhish dhe meskinitetesh mbi të cilat është ndërtuar e gjithë thashethemnaja e çuditshme, do ta ndihmojnë për të kuptuar pusin e thellë e të pashpresë në të cilin duket se nuk është i vetëm... Përmes absurdit të dramës së Argent Boksit, autori na rrëfen mjeshtërisht se realiteti i asaj kohe nuk është gjë tjetër veçse një tërësi absurditetesh të kthyera në sistem. Simbolika e groteskut me një lojë artistike të përsosur të galerisë së absurdit te personazhet butaforikë, si Turhani, Qimo Kostari, Rufi, Aristidhi etj., shpesh herë merr përmasa përgjithësuese për tërë realitetin tragjikomik të kohës. Me një gjetje të rrallë artistike dhe gjuhë të pasur e të figurshme, edhe pse një “fiction”, romani është një skaner i gjerë i sistemit të antivlerës, kotësisë, perversitetit dhe egërsisë së periudhës komuniste. Një libër që të rrëmben për ta lexuar pa marrë frymë dhe për të medituar gjatë..."

A. Iliazi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›