ǒndodh kur gratë marrin pushtetin?! ...mësojeni në Metropol
Aristofani vjen premierë në Teatrin e Metropolit me “Gratë në Parlament”, ku për herë të parë publiku do të përballet me sfidën e grave-meshkuj
Një grup “femrash” me në krye Praksagorën, i vënë vetes si qëllim që të bindin burrat për t’u lënë në dorë qeverisjen e qytetit të Athinës. Gratë “të maskuara” si burra shkojnë në parlament, ku japin argumentet e tyre se përse meshkujt duhet t’ia lënë në dorë qeverisjen grave, “një femër në një mënyrë apo një tjetër e arrin gjithmonë atë që do”, kështu që burrat binden që gratë për nga natyra janë më të përgjegjshme dhe më të rregullta dhe e meritojnë ta provojnë të qeverisin. Nis menjëherë “revolucioni”, gratë të zhveshura nga petku i burrit vendosin të bashkojnë gjithë të ardhurat dhe pasuritë dhe nisin të qeverisin vendin sipas stilit të tyre. Pjesë e “stilit” janë dhe raportet seksuale: Gratë (si burrat) mund të shkojnë me kë të duan dhe të bëjnë fëmijë me cilindo që dëshirojnë dhe kështu çdokush mund të ketë një lidhje me cilindo. Gratë e bukura dhe meshkujt jo tërheqës do të kenë mundësinë të kenë përkrah më të bukurën, ose anasjelltas. Por pikërisht ky ligj do të sjellë absurditetet dhe shumë situata paradoksale dhe komike. Komedia “Gratë në Parlament” e Aristofanit është shfaqja e parë e sezonit 2011, në Teatrin Metropol, premiera e së cilës do të shfaqet këtë fundjavë. Por ajo që është interesante në këtë vepër të sjellë nga regjisorja e re Elma Dorezi është fakti se publiku do të tundohet shpesh nga pyetja: “kush janë burrat e kush janë gratë?”, sepse si gratë dhe burrat në këtë vepër luhen nga aktorë meshkuj. Autori Aristofani, për regjisoren Elma Dorezi, është një nga emrat e padiskutueshëm të teatrit, ndërsa kjo mbetet sprova e parë e saj si regjisore dhe e aktorëve të rinj për ta sjellë këtë vepër për publikun shqiptar. Pjesa është shkruar 2400 vjet më parë, por ajo mbetet aktuale dhe mbart në vetvete mesazhe të forta. Regjisorja Elma Doresi shprehet se vënia në skenë e Aristofanit është një sfidë jo vetëm për të si regjisore por edhe për aktorët që ajo ka përzgjedhur. “Kjo shfaqje, e trajtuar si në teatrin e antikitetit, thënë ndryshe, në kohën kur personazhet femra interpretoheshin nga meshkujt, i bashkëngjitet idesë se ka ardhur një moment që edhe teatri shqiptar i të rinjve, me guximin, aftësinë dhe talentin e tyre janë të gatshëm të provojnë këtë element të vjetër të teatrit antik grek”. E po në këtë linjë të antikitetit po punohet edhe me kostumet, që do të realizohen nga Sofi Karaj, e cila shënon bashkëpunimin e saj të dytë me Teatrin e Metropolit. Ndërkohë, aktorët Devis Muka, Besmir Bitraku, Roland Saro, Endri Çela dhe Visjan Ukcenaj do të përballen me sfidën e interpretimit të roleve të grave në komedinë “Gratë në Parlament”. Të tjerë aktorë që do të interpretojnë në këtë komedi, por jo si femra, janë: Klodian Hoxha, Alban Musa, Lorenc Kaja, Genti Deçka dhe Shyqyri Çaushaj. Provat për këtë komedi kanë filluar që javën e fundit të muajit gusht, për t’u shfaqur më 8 tetor, në premierën e parë të sezonit në Teatrin e Metropolit, në sallën “Shekspir”. Një rol të rëndësishëm në këtë pjesë do të mbajë edhe koreografia, realizuar nga Aledia Kondaj, ku që në fillesat e përgatitjes duket se po ngjizet një skenë e tërë orgjie, me burra-gra dhe burra të vërtetë. Pavarësisht se i gjithë teksti sillet midis situatave dhe batutave komike, publiku do dalë nga salla më i ndërgjegjësuar mbi politikën, sepse një nga problematikat që duhet theksuar është rreziku që mbart në vete kur dikush arrin të ketë pushtetin në duar … “Demokracia e shumtë vret demokracinë” apo “Demokracia, ideja e një Lideri, problemet e një prezantimi, optika e një të mire të përbashkët”, janë elemente të Aristofanit. “Kjo pjesë do të na bëjë të reflektojmë. Mbase aktualiteti që sjell ky tekst na bën të mendojmë se vitet kalojnë, por sistemi mbetet njësoj, njerëzit ndryshojnë, por qëllimet dhe idetë mbeten të njëjta. Paralelisht me të mbetet edhe argumentimi i pozitës së gruas në shoqëri”- thotë regjisorja Doresi. A.Tuci