E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata e artistëve: Të ulet mosha e pensionit për disa gjini të artit

Sindikata e pavarur e Artistëve të Shqipërisë i ka paraqitur një sërë kërkesash ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që në thelb ka të bëjë me pozicionimin e kësaj Sindikate si palë në projektet që MTKRS-ja ka për Artin dhe Kulturën. Ndër kërkesat që iu prezantuan edhe mediave në një konferencë për shtyp, është: zhvillimi i një tryeze punë për ngritjen dhe fillimin e punës së Teatrit të Komedisë, Cirkut të Tiranës etj., pasi sindikata ka konstatuar se në zbatim të ligjit nuk ka një fillim të mbarë. Kërkesë tjetër është dhe që kjo sindikatë të merret në konsideratë nga ana e MTKRS-së në përpilimin e statuteve të Institucioneve Kombëtare të Kulturës në varësi të MTKRS-së, në planifikimin e fondit prej 30% në vitin 2012, që do t’u jepet Teatrove dhe estradave të rretheve, si dhe kërkon që të jetë nxitësja e fillimit të punës për “Statusin e Artistit”, sepse, sipas tyre, ata kanë marrë një premtim nga kryeministri Berisha, që brenda këtij mandati do të hartohet “Statusi i Artistit”. “Ne jemi të vendosur dhe të bindur se kjo do të realizohet, sepse Kryeministri ynë i ka mbajtur premtimet, sidomos për artin dhe kulturën” – u shpreh “artistikisht” në deklaratën e tij për shtyp presidenti i sindikatës, Reshat Ibrahimi. Ndërkohë që u ndal dhe në kërkesën më thelbësore për punën e artistit, siç është ulja e moshës së pensionit për kategori të caktuara. “Kemi kërkuar për disa gjini arti të ulet mosha e daljes në pension, sepse nuk mund të lejohet që një balerin, valltar apo një artist cirku të dalë në pension në moshën 60-vjeçe dhe burri 65-vjeç, duke u barazuar me të gjitha profesionet e tjera. Ne kemi kërkuar që kjo të ndryshojë, që gratë të dalin 50-vjeçe në pension dhe burrat 55-vjeç, pra kryesisht për këto 3 gjini. Kërkojmë gjithashtu që në momentin e daljes në pension të artistit, ai të marrë 70% të pagës mujore”. Gjithashtu sindikata i bën thirrje ministrit Bumçi që të përshpejtohet Projektligji i Trashëgimisë Kulturore, duke shpresuar që ai të vazhdojë bashkëpunimin me Sindikatën e Pavarur të Artistëve Shqiptarë, ashtu si paraardhësi i tij, me arsyetimin se kjo sindikatë ka rezultate shumë të mira me qeverinë e z. Berisha. “Ne kemi besim që ju do t’i analizoni kërkesat tona”- e mbyll deklaratën e tij presidenti Ibrahimi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›