E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shqipëria në listën e vendeve që mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen

Me çertifikatë vaksinimi, antitrupa pas shërimit ose test brenda 48 orëve, qytetarët shqiptarë janë lejuar nga BE që të udhëtojnë jo vetëm për të ashtuquajturat nevoja të domosdoshme në zonën Shengen.

Vendimi që erdhi nga Këshilli Europian, duket sikur ndoqi paralajmërimin e Komisionerit Oliver Varheli në Tiranë pak ditë më parë. Në logjikën e deklarimit të tij se qëllimi është që të përfshihen në pashaportën e gjelbër edhe vendet e Ballkanit perëndimor, vendimi i shpallur duket se i përgjigjet pikërisht këtij aksioni. Jo më larg se një ditë më parë Komisioneri Varheli e kuadroi hapjen europiane drejt disa zonave në Ballkanin perëndimor pikërisht si të tillë në Samitin e ministrave të Shëndetësisë të rajonit.”Siç e dini tashmë tre vende të Ballkanit Perendimor janë vlerësuar “zonë e gjelbër” për lëvizjen e lirë dhe ne duam që kjo verë të jetë shumë më e mirë se e vitit të kaluar, sa i takon lëvizjes së lirë dhe besojmë se e tillë do të jetë. Ne e kemi treguar se jemi krah vendeve të Ballkanit Perendimor me mbështetjen e dhënë edhe sa i takon sigurimit të vaksinave anticovid dhe do t’a thellojmë këtë mbështetje në muajt në vijim. Nga ana tjetër ne po punojmë për një sistem, për të njohur certifikatat e vaksinimit edhe nga vendet e treta” tha Varheli.  

Ministria e Jashtme shqiptare deklaron se përfshirja e Shqipërisë në këtë listë ende të kufizuar ka ndodhur pas këmbënguljes dhe punës disa javore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashme dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.
Ky rekomandim  po ashtu vjen si rezultat i përmbushjes së kritereve strikte të kontrollit të pandemisë në vend  dhe masave të marra nga qeveria shqiptare. Ende pa hollësira së regjimit të ndryshuar të lëvizjes, 

Ministria e Jashtme rithekson rëndësinë e respektimit të masave nga qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se kujdesi duhet të vazhdojë të jetë maksimal edhe gjatë lëvizjes në vendet e BE, të cilat mund të kenë protokolle specifike edhe pas rekomandimit të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›