Shqipëria, një perlë e turizmit? Super pasanikët shkojnë pak më tutje, në Mal të Zi
Nuk ka verë që kryeministri shqiptar të mos mburret me sektorin e turizmit, duke thënë se vit pas viti, ai është përmirësuar dhe tashmë Shqipëria vizitohet nga deri katër milionë turistë në vit. Situata këtë vit në fakt, është shumë pesimiste. Mjafton të shkosh në Sarandë, ku një pjesë e mirë e hoteleve janë bosh, për të kuptuar suksesin e turizmit shqiptar.
Dhe, ndërsa në Shqipëri, pjesa më e madhe e turistëve janë emigrantët që kthehen në vendin e tyre apo bashkëkombasit kosovarë, në vendin tonë fqinj, Malin e Zi, po ndodh një fenomen që i ka dhënë një hov të ri turizmit.
Sipas një reportazhi të Zërit të Amerikës, Mali i Zi po kthehet me shpejtësi në mekën e turizmit për disa nga njerëzit më të pasur në botë. Turistë të pasur në kërkim të deteve të kaltër dhe akomodimeve luksoze po vijnë tani me shumicë në këtë perlë të Adriatikut.
Porto Montenegro është një fshat i ri turistik që e ka ngritur Malin e Zi, këtë shtet të vogël ballkanik, nga një destinacion i parapëlqyer për turistët e zakonshëm rusë dhe serbë në një magnet për disa nga njerëzit më të pasur të botës.
Ai ka një pishinë të madhe me pamje nga Adriatiku i kaltër dhe majat e maleve shkëmbore. Fshati turistik ka shtëpi luksoze të stilit venecian, dyqane të firmave më të njohura si dhe një hapësirë të gjerë ku mund të hedhin spirancën disa nga jahtet më të mirë të botës.
Ky ka qenë dikur një port për anijet jugosllave dhe sovjetike. Një vit më parë Porto Montenegro u transformua, falë idesë së miliarderit kanadez Peter Munk.
Ai donte të investonte në një vend me më pak njerëz por që ti ngjante një plazhi të Rivierës franceze në një territor relativisht të panjohur.
Matt Morley është menaxher në Porto Montenegro dhe shprehet se, ne vizitohemi nga turistë të ndryshëm. Sigurisht, fjala është për njerëz super të pasur. Një nga gjërat që ne ofrojmë është privatësia, më e madhe se në shumë plazhe të tjera si, në jugun e Francës apo në Sardenjë, për shembull.”
Që kur u nda nga Serbia në vitin 2006, Mali i Zi ka përjetuar një rritje në vlerë të pasurive të patundshme. Kryesisht britanikët dhe rusët kanë investuar në hotele dhe vendpushime të reja turistike.
Në Shqipëri ndërkohë, asnjë biznesmen serioz i huaj nuk ka investuar në turizëm dhe ne ndërkohë, u gëzohemi turistëve tanë emigrantë apo atyre që kalojnë për një apo dy ditë, të cilët e përdorin Shqipërinë si vend tranzit për të vizituar vendet fqinje.