E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria një rol stabilizues në Ballkan dhe më gjerë”

14/10/2009  Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen, shprehet i bindur se Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol tepër të rëndësishëm në stabilitetin dhe paqen në rajon. Ky është konstatimi që bën numri një i NATO-s në mesazhin e urimit drejtuar kryeministrit Sali Berisha me rastin e fitores së zgjedhjeve dhe rizgjedhjes në detyrën e kreut të qeverisë shqiptare. “Gjatë mandatit tuaj të mëparshëm si kryeministër Shqipëria u anëtarësua në NATO, organizatën më të rëndësishme dhe më të suksesshme të sigurisë, që ka bashkuar Europën dhe Amerikën e Veriut. Suksesi i NATO-s qëndron në vlerat që ne të gjithë çmojmë shumë dhe në gatishmërinë tonë për t’i mbrojtur ato nga kërcënimet ndaj sigurisë sonë. Unë besoj se përkushtimi i vendit tuaj ndaj Aleancës do të mbetet i palëkundur, i bazuar në përkushtimin e popullit shqiptar për të qenë pjesë e komunitetit të demokracive të zonës së Atlantikut të Veriut dhe të luajë një rol stabilizues në Ballkan dhe më gjerë”, - shkruan Rasmusen në mesazhin drejtuar kryeministrit Berisha. Numri një i NATO-s shkruan se në vazhdim të vendimeve të marra në samitin e fundit Aleanca po pëson një transformim të rëndësishëm, si për shembull, diskutimet mbi konceptin e ri strategjik, ndërkohë që mbetet e përkushtuar në stabilizimin e Afganistanit. “Duke u mbështetur në suportin tuaj, unë pres me padurim të punojmë së bashku drejt përgatitjes së samitit të ardhshëm të rëndësishëm në Lisbonë. Do të doja edhe një herë t’ju shprehja urimet e mia, së bashku me urimet më të mira për një mandat të suksesshëm në detyrë”, - shkruan Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Në këtë mesazh urimi Rasmusen uron kryeministrin Berisha për një mandat të suksesshëm në detyrë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›