E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet më të mira, opozita të kthehet në Parlament

14/10/2009  Anëtarë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së vlerësojnë zgjedhjet e 28 qershorit

Drejtues dhe zyrtarë lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së gjatë takimit zhvilluar nga data 9 deri 12 tetor në Athinë kanë theksuar se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri kanë qenë të lira dhe të ndershme. Nisur nga këto konstatime, ata e vlerësojnë si veprim jopozitiv bojkotin që opozita i bën Parlamentit dhe për pasojë i bëjnë thirrje të kthehet në këtë institucion shumë të rëndësishëm për reformat e nevojshme në Shqipëri. Zëvendëspresidenti i Asamblesë së OSBE-së, austriaku Wolfgang Grossruck, shprehet se të gjithë ranë dakord mbi rezultatin e zgjedhjeve dhe vlerësimin e tyre. “Konkluzioni ynë është se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe në rrugën e drejtë të një demokracie të plotë. Është për të ardhur keq që opozita nuk po merr pjesë në Parlament. Pjesë e pjekurisë demokratike është edhe të pranosh rezultatin e zgjedhjeve, ndaj shpresoj që partia e opozitës të marrë sa më shpejt pjesë në Parlament. Kjo është e vetmja rrugëdalje për të zhvilluar më tej demokracinë”, - deklaroi Grossruck. Pozitiv për zhvillimin e zgjedhjeve është shprehur edhe Alcee Hastings, anëtar i Kongresit amerikan, bashkëkryetar i Komitetit Amerikan të Helsinkit. Sipas tij, Shqipëria po maturohet shpejt dhe, duke qenë një vëzhgues i zgjedhjeve, vuri re se të gjitha palët (PD dhe LSI) po bashkohen e po bëhen më pragmatistë në qëndrimin e tyre politik, çka është një tregues i shëndetshëm për demokracinë në Shqipëri. “Shqipëria ka një ndikim substancial në rajon, dhe pikërisht këtu qëndron ajo që unë besoj se është xhevahiri i fshehur i asaj që sjell pjekuria e procesit elektoral. Në këtë kontekst, jam shumë i kënaqur për hapat pozitivë që u bën”, - thekson ai. Hasting pohon se ka pasur mangësi, që mbeten për t’u zgjidhur në zgjedhjet e ardhshme. “Jam i bindur se do të ketë përmirësime. Arsyeja se pse jam i bindur për këtë është se edhe ne në Shtetet e Bashkuara ende vazhdojmë të përmirësojmë zgjedhjet, pasi edhe tek ne ato jo gjithmonë janë të lira, sidomos nëse je nga Florida, siç jam unë, e kupton më mirë këtë”, - thotë ai. Ndërsa në lidhje me bojkotin e opozitës kongresmeni amerikan thotë se, nëse ai do të ishte lideri i opozitës shqiptare, nuk do të kishte vepruar në këtë mënyrë. Vlerësime pozitive për zgjedhjet dhanë edhe kreu i delegacionit italian Riçardo Migliori dhe anëtari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zvicerani Kristian Miesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›