Shqipëria, një suksesi “Made in Import”

Fjalë të himnit tonë kombëtar mund të kenë qenë të panjohura për Matvei Petrovin, por ai hyri në historinë e sportit shqiptar si i pari gjimnast që i solli një titull kontinental. Në fakt, ai ishte i pari që hapi këto vite të fundit, një vazhdë të pazakontë të sportit, atë të një suksesi “Made in Import”, apo thënë shqip, një suksesi të importuar nga jashtë. Pasi tij erdhën dy mundës çeçenë, Zelimkhan Abhakarov dhe Islam Dudajev, që i sollën atdheut të tyre të adoptuar, Shqipërisë, të tjera medalje dhe sukses ndërkombëtar. Madje Abakharov e ngjiti Shqipërinë në majën e botës, duke vijuar madje të festojë me flamurin kuqezi.
Më e fundit në këtë vazhdë është talentja e lindur në Itali, Lara Kolturi, e cila nuk ka vonuar t’i sjellë Shqipërisë medalje në pistat e skive. Natyrisht, në rastin e skive, por edhe të gjimnastikës, Shqipëria nuk ka shkuar kurrë kaq larg në histori dhe kjo u bë e mund vetëm falë këtyre sportistëve. Por në rastin e mundjes, një sport me traditë në vendin tonë, sukseset nuk kanë munguar, edhe pse mbase jo në këto nivele, teksa vetë presidenti aktual i Federatës, Sahit Prizreni, ka shijuar suksesin në arenë evropiane apo atë botërore.
Sigurisht që dikush mund të thotë që jetojmë në epokën e globalizimit dhe importimi i suksesit dhe sportistëve që garantojnë sukses është një dukuri e përhapur gjerësisht dhe Shqipëria nuk ka pse të bëjë përjashtim. Megjithatë, shpresojmë që suksesi i arritur nga kampionia e Evropës në atletikë, Luiza Gega, të mos mbetet si një ishull i vetmuar, por pasohet nga shumë të tjerë, që ky sukses të jetë gjithnjë e më tepër “Made in Albania”.