Shqipëria nuk është ende gati
E dimë sa e rëndësishme është të lëvizësh pa viza për popujt e Ballkanit Perëndimor. Të udhëtosh pa viza, do të thotë të mos mbash më radha në ambasada, të mos mbledhësh dokumente mbështetëse si ftesa, bileta, të shpenzosh për përkthimin e tyre dhe të mos paguash më tarifën për vizën.
Qytetarët do të mund të vizitojnë familjet dhe miqtë e tyre, dhe të kalojnë pushimet pa iu nënshtruar procedurave të gjata dhe të rënda administrative. Të rinjtë do ta kenë më të lehtë të studiojnë në Bashkimin Evropian. Duke lehtësuar dhe shpejtuar kontaktet e biznesit, lëvizja pa viza do të sjellë gjithashtu përfitime konkrete ekonomike.
Kjo është arsyeja pse Komisioni Evropian ka ndërmarrë gjatë dy viteve të fundit nismën për të ecur përpara me të gjitha vendet e rajonit. Ne duam që të gjithë të përfitojnë, pasi qeveritë përkatëse të kenë arritur standardet. Kushtet bazë janë të njëjta për të gjitha vendet.
Dje, kishim kënaqësinë të propozojmë dhënien e mundësisë për të udhëtuar pa viza për qytetarët e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë - me kusht që dy vendet e fundit të plotësojnë disa kritere në kohën e duhur. Propozimi ynë tani duhet të miratohet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, pasi të jenë këshilluar me Parlamentin Evropian.
Qëllimi dhe bindja jonë është se Shqipëria (ashtu si dhe Bosnja dhe Hercegovina) do të pasojnë së shpejti. "Udhërrëfyesi", - një listë me kritere që duhen plotësuar në fushat e sigurisë së pasaportave, kontrollit të kufijve, luftës kundër korrupsionit etj., dhe që u është dhënë autoriteteve tuaja nga BE-ja në 2008-ën, mbetet ende në fuqi dhe vazhdon të jetë krejtësisht i realizueshëm, nëse autoritetet tuaja do të kenë vullnet të plotë për ta zbatuar atë. Nëse përparimi do të jetë i shpejtë, ne besojmë se Shqipëria do t'i kapë shpejt fqinjët e saj.
E kuptojmë plotësisht që shumë qytetarë shqiptarë sot janë të zhgënjyer. Por, Bashkimi Evropian nuk mund të bënte më shumë. Ne përcaktuam të njëjtat kushte të detajuara për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe këto kushte duhen plotësuar para se Bashkimi Evropian të hapë dyert e tij. Shqipëria nuk është ende gati.
Regjimi i udhëtimit pa viza për shtetasit e një vendi të caktuar, nuk është thjesht çështje vendimi politik. Zona e Shengenit është një hapësirë e përbashkët për qarkullimin e lirë ndërmjet 28 shteteve. Për të garantuar sigurinë e shtetasve që banojnë në këtë zonë, duhen zbatuar standardet më të larta të sigurisë, veçanërisht në kufijtë e jashtëm të zonës Shengen.
Për këtë arsye, gjatë gjysmës së parë të vitit 2008, Komisioni Evropian hartoi një listë të hollësishme kriteresh që duheshin plotësuar në fusha si përmirësimi i sigurisë së pasaportave, përforcimi i kontrollit kufitar, përforcimi i kuadrit institucional për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Kjo ishte e nevojshme për të garantuar që nga udhëtimi i lirë të mos përfitojnë aktivitete ilegale, si trafikimi i qenieve njerëzore apo drogës, si dhe për të parandaluar emigracionin ilegal.
Shqipëria ka bërë shumë për të plotësuar kushtet për një regjim pa viza. Ne kemi qenë dëshmitarë të përkushtimit dhe motivimit të specialistëve që merren me zbatimin e ligjit, por dhe të politikanëve të vendit tuaj, të cilët vunë energjitë e tyre për të plotësuar kërkesat në sektorin e drejtësisë dhe të punëve të brendshme.
Puna më e madhe është kryer për përfundimin e sistemit elektronik të regjistrit civil dhe fillimin e prodhimit të pasaportave biometrike.
Ajo që mbetet për t'u bërë është një përpjekje e fundit vendimtare për të përforcuar kuadrin institucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të trajtuar mungesat në personalizimin dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike, dhe për të trajtuar dobësitë në administrimin e kufijve dhe të migracionit.
Komisioni Evropian mbetet plotësisht i angazhuar për të mbështetur procesin e reformave, në mënyrë që shtetasit e Shqipërisë së shpejti të përfitojnë nga udhëtimi pa viza në vendet e zonës Shengen.
Në rast se reformat vazhdojnë me të njëjtin ritëm, dhe në rast se plotësohen të gjitha kushtet, Komisioni mund të marrë në konsideratë përgatitjen e një propozimi të ri, i cili mund të përfshijë Shqipërinë nga mesi i vitit 2010. Shpejtësia e progresit të vendit tuaj drejt një regjimi udhëtimi pa viza, është në dorën e udhëheqësve tuaj.
Jacques Barrot është zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, i ngarkuar për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë.
Olli Rehn është komisioneri Evropian për Zgjerimin