E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria pa Zot e Ben Blushit

Kur Blushi flet për zotin, nuk e ka fjalën për një qenie të epërme në kuptimin hyjnor të fjalës, por për një numër normash dhe rregullash si liria, dashuria, paqja, puna dhe besimi

“Ky libër përpiqet të tregojë historinë e një njeriu që një ditë vendosi të zëvendësonte Zotin. Ky njeri ishte shqiptar dhe ndoshta shqiptarët e kanë këtë delir, sepse raporti i tyre me Zotin ka qenë shpesh kaotik, disa herë teknik dhe asnjëherë praktik. Ata e kanë mohuar, e kanë vrarë dhe kanë lejuar që zoti të zëvendësohet nga qenie të tjera”...Një pjesë nga libri “Shqipëria” i shkrimtarit Ben Blushi, i cili në gjithë rrëfimin e tij përpiqet të shpjegojë atë që shqiptarët i kanë bërë vetes gjatë kohërave. Libri “Shqipëria” (i treti libër në krijimtarinë e Blushit) që u promovua dje në “Sheraton”, kishte mbledhur gjithçka mban Shqipëria (bota) e vetë Blushit; si gazetarë, politikanë dhe shkrimtarë. Një edhe për “Mapo Editions”, që siç u shpreh Ben Blushi, vendosi të strehojë një shkrimtar jetim si ai.

“Ka së paku tri veçanti që më bëjnë shumë të gëzuar sot në këtë botim të romanit të tretë të Ben Blushit, “Shqipëria” i cili është edhe nisja e serisë së botimeve letrare të grupit të shtypit të shkruar “Mapo”. Këto tri veçanti janë: Ben Blushi është një shkrimtar shumë i mirë, veç kësaj është një shkrimtar mjaft i preferuar dhe mjaft i suksesshëm në treg dhe, përveç kësaj është një mik i mirë prej kohëve të vjetra. Ndaj dhe kënaqësia është e trefishtë që kam strehuar jo vetëm veprën e tretë të Ben Blushit, por botimet ‘Mapo’ do të jenë tani e tutje shtëpia botuese e këtij shkrimtari”, - tha ndër të tjera botuesi i “Mapo Editions”, Henri Çili.

Diana Çuli, si lexuesja e parë e librit e cilësoi “Shqipërinë” e Ben Blushit si një ‘befasi letrare’. “Po ta përmblidhja me dy fjalë, të cilat nuk do ta shprehin dot kompleksitetin e veprës, do të thosha është një befasi letrare, është një befasi për botën tonë të letrave, sepse mbi të gjitha ai është një metaforë e madhe. Kur ta lexoni, do të shikoni se metafora është krijimi i një Shqipërie utopike ishullore, ku njerëzit, personazhet të kujtojnë emra realë, por gjithmonë mbeten personazhe letrarë”, - vlerësoi si lexuese këtë radhë shkrimtarja Diana Çuli.

Ben Blushi: Shqipëria vuan akoma nga shqiptarët

Kur flet për “Shqipërinë” e tij, Ben Blushi e ka të pamundur të ndajë shkrimtarin nga politikani. “Shumë njerëz këto ditë më pyesin pse ky libër quhet “Shqipëria?!” Mund them vetëm atë që di. Ky është një libër për shqiptarët, dhe meqë unë jam shqiptar dhe njëri prej tyre, dua dhe kam nevojë t’i shpjegoj dhe t’i kuptoj. Të kuptosh shqiptarët, të kuptosh mënyrën sesi janë sjellë përgjatë kohës, me veten, me njëri-tjetrin, me tokën dhe me Zotin, besoj se është një argëtim. Një argëtim në kuptimin artistik të fjalës, është një detyrim në kuptimin historik të fjalës, por sigurisht që është një torturë në kuptimin politik të fjalës. Për ata që merren me letërsi, shqiptarët janë një gur për të ndërtuar, për ata që merren me histori, shqiptarët janë një urë për të kuptuar, për ata që merren me politikë, unë mendoj që shqiptarët janë një mur për t’u kaluar”, - kështu i jep përgjigje Ben Blushi pyetjes së njëjtë të njerëzve të ndryshëm se përse ky libër quhet “Shqipëria”. Por duke dashur të zbusë “seriozitetin” që mund të kaplojë lexuesin që në kopertinë, Blushi siguron që fletë pas flete lexuesi jo vetëm do të argëtohet, por mbi të gjitha do të kuptojë veten, pra shqiptarin.

“Libri ‘Shqipëria’ nuk është historik, prandaj nuk është një detyrë; nuk është politik, ndaj nuk është një torturë, është vetëm artistik, ndaj është argëtim, të paktën për mua. Kudo ku shqiptarët kanë jetuar, nuk e kanë trajtuar njëri-tjetrin më keq se në Shqipëri dhe kudo ku kanë shkuar nuk e kanë trajtuar një vend tjetër më keq se vendin e tyre, Shqipërinë. Ky libër përshkruan një eksperiment njerëzor, ai tregon sesi shqiptarët lejuan njërin prej tyre të bëhej zoti i tyre duke e ndarë nga Zoti, prona dhe familja. A ka ndodhur kjo në historinë tonë?! Kam arsye të them se po. Libri i Blushit përpiqet në fakt të tregojë historinë e një njeriu që një ditë vendosi të zëvendësonte Zotin. “Ky njeri ishte shqiptar dhe ndoshta shqiptarët e kanë këtë delir, sepse raporti i tyre me Zotin ka qenë shpesh kaotik, disa herë teknik dhe asnjëherë praktik. Ata e kanë mohuar, e kanë vrarë, e kanë lejuar që Zoti të zëvendësohet nga qenie të tjera. Marrëdhënia e shqiptarëve me Zotin shpjegon disa nga problemet tona”. Por kur Blushi flet për zotin në “Shqipërinë” e tij, nuk e ka fjalën për qenien e epërme në kuptimin hyjnor të fjalës, por për një numër normash dhe rregullash si liria, dashuria, paqja, puna dhe besimi. “Zoti, në fund të fundit është një kod të drejtash dhe detyrash, pa të cilat njerëzimi do të kishte vuajtur më shumë nga çka vuajtur. Libri ‘Shqipëria’ këtë kërkon të thotë. Zoti mund të zëvendësohet, por jo nga një njeri. Në të kundërt Zoti mund të zëvendësohet nga çdo njeri, që është zot i vetes dhe i askujt përveç vetes. Libri në fund nuk i jep askujt asnjë këshillë. Ai është një lexim për të tjerët dhe një kalim për mua. Shqipëria është modeli për të njohur veten dhe për të njohur të ngjashmit e mi, me të cilët jetoj në të njëjtin vend që është Shqipëria”, – u drejtohet të tjerëve shkrimtari Ben Blushi.

Henri Çili: Blushi ka rikthyer shijen e të lexuarit të letërsisë

Botimet “Mapo Editions” do të jenë tani e tutje shtëpia botuese e krijimtarisë së shkrimtarit Ben Blushi. Për botuesin e “Mapo Editions”, Henri Çili, shkrimtari Ben Blushi ka krijuar një risi në letërsinë shqipe. “Ben Blushi ka krijuar një risi, një surprizë në dekadën e re në botën kulturore dhe letrare në Shqipëri , sepse ka rikthyer një lloj shijeje të të lexuarit të letërsisë, e cila dukej fort e tronditur në këto 20 vjet për shumë arsye. Për arsye të ç’strukturimit të shoqërisë shqiptare, për arsye të ndërrimit të kodeve kulturore, për arsye të shumëfishimit të mjeteve të komunikimit dhe për arsye të madhe, për të cilën në gjithë botën e zhvilluar letërsia është në një lloj lufte me lexuesin, sepse njerëzit kanë sot më shumë mënyra për t’u argëtuar. Në një prani rekord në të gjitha libraritë, të gjitha mediat, në një debat të shumëfishtë, në një diskutueshmëri, e cila fillon që nga simbolika e tij letrare, simbolika shoqërore e sociale apo politike e veprës së tij, Ben Blushi ia ka arritur të kthehet në shkrimtarin koherent më të shitur të letërsisë shqiptare. Ambiciet tona janë për më shumë”.

Diana Çuli: Shoqëria utopike e Blushit, Zotit dhe debatit rreth tij

Me sa duket Diana Çuli mbetet një nga lexueset besnike të shkrimtarit Ben Blushi. Ishte hera e dytë që ajo prezantonte një libër të tij dhe vlerësimi i shkrimtares për shkrimtarin është si atëherë kur tjetri lexon një vepër të rrallë e të veçantë. “Libri ‘Shqipëria’ është befasi letrare, sepse në të ndërthuret në mënyrë krijuese dhe të papërsëritshme koncepti i shoqërisë utopike me atë të domosdoshmërisë së ekzistencës së Zotit dhe debatit rreth tij. Rreth përpjekjes së pandërprerë të njeriut për t’i ngjarë kësaj shëmbëlltyre dhe për ta zëvendësuar atë. Deri këtu jemi ende në përmasat universale që letërsia i përdor shpesh dhe që Ben Blushi i ndërton me mjeshtëri mjaft të rrallë. Më pas universaliteti zbret në gjëra lokale, ku lexuesi dashur-padashur kërkon veten e tij. Në këtë mënyrë vepra është e ndërtuar në dy nivele kryesore, pa i humbur asnjë çast përmasat e universalitetit që përmenda më parë”,- tha ndër të tjera shkrimtarja Diana Çuli.

Pjesë nga libri

Çfarë mendon Zoti për ata që duan ta zëvendësojnë

“Kur mbaroi leximin e tekstit që kishte përpara, Zoti u shtriq në karrigen e tij dhe mendoi se, si gjithnjë engjëjt kishin shkruar shumë gjatë, se jeta e Lek Dukagjinit nuk i meritonte aq shumë rreshta, se stili i të shkruarit nuk ishte shumë tërheqës. Ai ishte i mbushur me përfundime më shumë sesa me detaje, me të dhëna dhe ngjarje, gjë që nuk i lejohet një engjëlli, sepse ai nuk ka të drejtë të arrijë në përfundime, se për këtë arsye ai tekst, nuk ngjante aspak si një tregim i pasur me metafora dhe krahasime të larmishme, por si një dokument nga ato që njerëzit i përdorin për arkivat e policisë, për të rrëfyer aktivitetin e një njeriu që ka shkelur ligjin vazhdimisht, paçka se Lek Dukagjini ishte përgjithësisht i tillë dhe mesa duket ndonjë engjëll i ri dhe pa shumë përvojë e kishte shkruar me ngut , i rrëmbyer nga jeta e vrullshme e Lek Dukagjinit apo i kapur në ankthin e përshkrimit të një herezie, të cilën ndoshta ishte përpjekur ta zbuste dhe ta lëmonte pak, për të mos e mërzitur Zotin, për të mos ia shtuar edhe më tepër inatin dhe frikën ndaj njerëzve, të cilët, sidomos gjatë shekujve të fundit, po e sfidonin pa mëshirë, duke e injoruar apo duke e zëvendësuar me lloj-lloj të vdekatarësh të gjorë, të paaftë për të përmbushur një qëllim të pavdekshëm. Ndërkohë që duhej t’i përgjigjej edhe shenjtorit që kishte përpara dhe që priste me padurim që përmbytja në fshatin e tij të ndalonte, Zoti ngurroi një hop përpara se të vinte një shënim në faqen e fundit dhe pasi u mendua pak, shkroi, këtë porosi, si më poshtë : “Sa herë që në Tokë lindin njerëz, që duan të më zëvendësojnë, ata duhet të inkurajohen të dështojnë, duhet të frymëzohen të jenë më të egër dhe më të pashpirt se unë, sepse vetëm në këtë mënyrë, besimi i njerëzve se unë jam i pazëvendësueshëm, i përsosur, i pavdekshëm, i mëshirshëm dhe unik, vjen duke u shtuar”.

Ben Blushi bën bashkë

Ramën, Metën e LMN,

mungon Fatos Nano

Promovimi i librit “Shqipëria” i Ben Blushit mblodhi bashkë figurat e së majtës. Rama qëndron në shoqërinë e deputetëve, Ilir Meta me gazetarë e botues. Nga kampi i djathtë, të pranishëm vetëm Oketa e Biberaj

Të gjithë socialistët në promovimin e djeshëm të librit “Shqipëria” të Ben Blushit, për një çast kanë menduar se ndodheshin në ndonjë pritje para vitit 2004, vit nga i cili nisën rrjedhjet e mëdha nga partia “mëmë”. Edhe pse fokusi i eventit ishte letrar, prozhektorët ranë mbi të ftuarit e politikës, që këtë radhë bënin vërtet një PS të bashkuar. Pritja ka mbledhur bashkë ish-mikun dhe armikun aktual, Ilir Meta, të anashkaluarin Meidani me kryetarin Rama, por dhe figura të lëna në hije si Ylli Bufi e deri tek anëtarët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe, Malaj, Harasani e Islami, që para dy vitesh shpalosën alternativën anti-Rama, pikërisht me lider të pashpallur, Ben Blushin. Mungesa e madhe në fakt ka qenë ajo e ish-kryetarit Nano.

***

Më i madhi në numër ka qenë grupi i deputetëve aktualë të PS-së, të cilët siç duket, kanë nxituar të jenë të pranishëm më së shumti pas kafesë pajtuese Blushi-Rama një javë më parë. Në sy ka rënë dhe prezenca e Ramës, i cili si rrallëherë jo vetëm që nuk ka ardhur me vonesë, por ka ndenjur gjatë. Bashkë kanë ndenjur ish-presidenti Meidani, Islami, Malaj e Harasani, të cilët me fjalimet e tyre pritet që në Kongresin e sotëm t’i qëndrojnë linjës kritike ndaj lidershipit të PS-së. Mu ngjitur tyre, por edhe pak metra larg Edi Ramës ka qenë kreu i LSI-së , Ilir Meta, i cili e ka kaluar kohën nën shoqërinë e gazetarëve dhe disa botuesve, miq të hershëm të Blushit qysh nga periudha e tij e gazetarisë në “Koha Jonë” e më tej. Nga kampi tjetër, po aq i trazuar këto ditë nga projeksioni i një partie të re të Presidentit Topi, janë parë vetëm dy mbështetës të tij, deputeti i PD-së, Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj.

***

Prezenca e pothuaj të gjitha ngjyrave të PS-së në prezantimin e Blushit lidhet padyshim edhe me miqësinë dhe bashkëpunimin politik që ai ka pasur e ruajtur me ta, pavarësisht ujërave që kanë rrjedhur në PS këto 6-7 vitet e fundit. Gjithsesi, pas pak ditësh kjo teori do të verifikohet në promovimin e “Kurbanit”, librit të kryetarit të PS-së, Edi Rama. Përveç personazheve politikë që do të jenë për shkak të postit të tij, në këtë rast do të duhet të presim për të parë se sa bashkon politikisht një tjetër event letrar i organizuar nga Rama, siç ishte ky i djeshmi i Ben Blushit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›