Ben Blushi bën bashkë Ramën, Metën e LMN, mungon Fatos Nano
Promovimi i librit “Shqipëria” i Ben Blushit mblodhi bashkë figurat e së majtës. Rama qëndron në shoqërinë e deputetëve, Ilir Meta me gazetarë e botues. Nga kampi i djathtë, të pranishëm vetëm Oketa e Biberaj
Të gjithë socialistët në promovimin e djeshëm të librit “Shqipëria” të Ben Blushit, për një çast kanë menduar se ndodheshin në ndonjë pritje para vitit 2004, vit nga i cili nisën rrjedhjet e mëdha nga partia “mëmë”. Edhe pse fokusi i eventit ishte letrar, prozhektorët ranë mbi të ftuarit e politikës, që këtë radhë bënin vërtet një PS të bashkuar. Pritja ka mbledhur bashkë ish-mikun dhe armikun aktual, Ilir Meta, të anashkaluarin Meidani me kryetarin Rama, por dhe figura të lëna në hije si Ylli Bufi e deri tek anëtarët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe, Malaj, Harasani e Islami, që para dy vitesh shpalosën alternativën anti-Rama, pikërisht me lider të pashpallur, Ben Blushin. Mungesa e madhe në fakt ka qenë ajo e ish-kryetarit Nano.
***
Më i madhi në numër ka qenë grupi i deputetëve aktualë të PS-së, të cilët siç duket, kanë nxituar të jenë të pranishëm më së shumti pas kafesë pajtuese Blushi-Rama një javë më parë. Në sy ka rënë dhe prezenca e Ramës, i cili si rrallëherë jo vetëm që nuk ka ardhur me vonesë, por ka ndenjur gjatë. Bashkë kanë ndenjur ish-presidenti Meidani, Islami, Malaj e Harasani, të cilët me fjalimet e tyre pritet që në Kongresin e sotëm t’i qëndrojnë linjës kritike ndaj lidershipit të PS-së. Mu ngjitur tyre, por edhe pak metra larg Edi Ramës ka qenë kreu i LSI-së , Ilir Meta, i cili e ka kaluar kohën nën shoqërinë e gazetarëve dhe disa botuesve, miq të hershëm të Blushit qysh nga periudha e tij e gazetarisë në “Koha Jonë” e më tej. Nga kampi tjetër, po aq i trazuar këto ditë nga projeksioni i një partie të re të Presidentit Topi, janë parë vetëm dy mbështetës të tij, deputeti i PD-së, Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj.
***
Prezenca e pothuaj të gjitha ngjyrave të PS-së në prezantimin e Blushit lidhet padyshim edhe me miqësinë dhe bashkëpunimin politik që ai ka pasur e ruajtur me ta, pavarësisht ujërave që kanë rrjedhur në PS këto 6-7 vitet e fundit. Gjithsesi, pas pak ditësh kjo teori do të verifikohet në promovimin e “Kurbanit”, librit të kryetarit të PS-së, Edi Rama. Përveç personazheve politikë që do të jenë për shkak të postit të tij, në këtë rast do të duhet të presim për të parë se sa bashkon politikisht një tjetër event letrar i organizuar nga Rama, siç ishte ky i djeshmi i Ben Blushit.