21 aktorë për “Shtrigat e Salemit”
Drama “Shtrigat e Salemit”, që do të çelë sezonin e ri në Teatrin Kombëtar, ka thyer rekord përsa i përket aktorëve pjesëmarrës në një vepër teatrore. Regjisori Spiro Duni do të ngjisë në skenën e Teatrit Kombëtar 21 aktorë që do të interpretojnë në këtë vepër. Në rolet kryesore interpretojnë Eva Alikaj dhe Timo Flloko, respektivisht në rolet e Xhon dhe Elizabeta Proktorit; ndërkohë që regjisori Spiro Duni ka rikthyer në skenë edhe aktoren e njohur Drita Pelingu. Regjisori ka zgjedhur 21 aktorë profesionistë dhe të rinj, duke sjellë një kombinim të shkëlqyer mes brezit të karrierës dhe brezit të ri të skenës së teatrit. Personazhet e tjerë kryesorë të veprës së Millerit i janë besuar: Elia Zaharias, Fatos Selës, Vasjan Lamit, Neritan Liçajt, Naun Shundit, Eni Janit etj. Për skenografinë do të punojë Bashkim Ahmeti dhe kostumet i janë besuar Anila Zajmit. "Shtrigat e Salemit" mendohet të shfaqet në mesin e muajit mars. Në Amerikën e viteve '50, "Shtrigat e Salemit" u pa si alegori ndaj Makartizmit dhe qëndrimit kundër komunistëve. Milleri iu referua historisë së gjyqeve, persekutimeve, dënimeve, të kryera ndaj njerëzve të shenjuar për magji, në Salemin (Masaçusets) e viteve 1692-1693.