Spahiu në nënShkodër: Të përmbysim Berishën se do përmbytemi të gjithë
Shkodër- Kryetari i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu ka qenë sot me një grup mjekësh në zonat e përmbytura të Shkodrës ku kanë vizituar banorët e përmbytur në këto zona, të cilët janë ende duke vuajtur pasojat e reshjeve të dendura dhe hapjes së portave të hidrocentraleve.
Kjo situatë sipas Spahiut është turp, teksa vetë banorët e nën-Shkodrës por edhe të qytetit janë shprehur të revoltuar se nuk janë njoftuar për shkarkimet e mëdha e të menjëhershme të ujit, duke u lënë pa asnjë ndihme nga ana e shtetit.
Spahiu tha se e vetmja zgjidhje e kësaj situate dramatike është ose të përmbysim Berishën ose do përmbytemi të gjithë.
Kreu i AK-së e quajti vendin një kaos të plotë ku ndërsa populli vijon të mbetet nën ujë, forcat kryesore politike në pushtet merren me koalicione dhe llogaritje votash. Spahiu theksoi se Shkodra duhet të dëmshpërblehet 4 herë për përmbytjet e ndodhura në këto zona dhe me ardhjen e KuqeZinjve do të hetohen të gjithë këta abuzues me pushtetin që kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme në Ultësirën Perëndimore të vendit.
Është një turp kombëtar se ndërsa Shkodra mbytet, PS dhe PD puthen e krijojnë aleanca e pazare të fshehta në kurriz të popullit shqiptar,- tha ai.