E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria po plotëson standardet më të larta të sigurisë së kufijve


Ministri i Brendshëm Lulzim Basha inspekton sallën operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit


Shumë shpejt Shqipëria, do të plotësojnë standardet më të larta të sigurisë së kufijve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Deklarata e ministrit të Brendshëm Lulzim Basha u bë gjatë vizitës së tij të parë zyrtare, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që nga marrja e detyrës. Ministri Lulzim Basha kreu dje një inspektim në sallën operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me qëllimin për të parë nga afër gatishmërinë dhe ecurinë e procesit të integrimit të sistemeve të kërkimit, identifikimit dhe analizës së informacionit.


Ministri Basha tha se, “kjo sallë posedon 24 orë në ditë të dhënat nga të 26 pikat kufitare të vendit. Brenda muajit tetor edhe në pesë pika kufitare të vendit, të cilat janë pikat kufitare të izoluara, do të instalohet sistemi TIMS, një sistem i cili bazohet në përvojat më të suksesshme të BE. Ky sistem do të ndërlidhet, pra do të ketë një ndërfaqe me Regjistrin e Gjendjes Civile, duke mundësuar shkarkimin e të dhënave të këtij regjistri për të gjithë shtetasit që posedojnë pasaporta biometrike dhe ato aktuale, me sistemin MEMEX të analizës së informacionit kriminal, e po kështu me sistemin e kontrollit të kufirit detar”.


Ministri Basha vijoi më tej se pas inspektimit se modernizimi dhe integrimi mes tyre i sistemeve të informacionit ka të bëjë me objektivat e qeverisë Berisha për qeverisjen elektronike, tashmë të shtrira në një fushë shumë të rëndësishme siç është ajo e zbatimit të ligjit.


“Ky proces ka të bëjë me një objektiv madhor siç është liberalizmi i vizave, që lidhet drejtpërsëdrejti me atë të ruajtjes dhe sigurisë së kufirit. Integrimi i këtyre sistemeve do të pajisë Shqipërinë me standardin më të lartë në Ballkanin Perëndimor për ruajtjen e kufirit me praktikën më hermetike të goditjes së krimit ndërkufitar dhe në të njëjtën kohë me një transparencë të pademonstruar ndonjëherë nga ndonjë vend tjetër i rajonit”, tha ndër të tjera Basha.


Duke shtuar më tej se jemi të bindur se përfundimi në kohë i këtyre qendrave operative, për të cilat po jepet edhe asistenca e duhur nga misioni i BE dhe ekspertët amerikanë pranë Policisë së Shtetit, do të bëjë të mundur që në inspektimin e ardhshëm të Komisionit Evropian, Shqipëria të vlerësohet si një nga vendet e Evropës Juglindore me standardin më të lartë për ruajtjen, kontrollin dhe sigurinë e kufijve.


“Në sallën qendrore operative të Policisë së Shtetit do të kryhet survejimi në kohë reale i të gjitha vendkalimeve kufitare nëpërmjet sistemit të kamerave, e po kështu edhe kontrolli i kufirit detar nëpërmjet imazhit të përcjellë nga sistemi i kontrollit detar”, theksoi ministri Basha.


Vënia në funksionim e qendrës së vetme operacionale ku janë të integruara sistemi TIMS, sistemi i survejimit të vendkalimeve kufitare nëpërmjet kamerave dhe sistemi i kontrollit detar, ka nisur në fillim të muajit Shtator dhe është një nga elementët e rëndësishëm të Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›