E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria pranë statusit të BE, Presidenti i KiE: Kandidate potenciale

Zërat ndërkombëtarë shtojnë shpresat për statusin kandidat të Shqipërisë në BE në muajin tetor. Kësaj radhe ka qenë Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon, i cili gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka deklaruar se Shqipëria është kandidate potenciale për në BE, ndërsa vlerësoi progresin që ka shënuar Shqipëria gjatë viteve të fundit.
 

"Shqipëria është një kandidate potenciale per t`iu bashkuar Bashkimit Europian. Unë jam një parlamentar francez, dhe sigurisht unë e monitoroj me shumë interes progresin e vendit tuaj në rrugën e integrimit. Dua gjithashtu të përgëzoj kryetaren Topalli për mënyrën sesi e drejton debatin politik në Parlament. Dhe nuk ka qenë aspak e lehtë. Në fakt komitetit të ministrave dhe Asamblesë Parlamentare i është dashur të ndërhyje për tu siguruar që mazhoranca dhe opozita të punonin së bashku. Mendoj se rezultati erdhi falë kontributit tuaj"deklaroi për mediat Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon.
 

Duke folur në punimet e Konferencës Europiane të Presidentëve të Parlamenteve, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli , u ndal edhe në procesin për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke shprehur besimin se reformat e ndërmarra të mundësojnë këtë hap.
 

“Si shqiptare, objektivi ynë kombëtar është marrja e statusit, por kjo do të sjellë përfitime si për Shqipërinë, ashtu edhe për BE-në duke pasur parasysh vlerat unike të vendit tonë në harmoninë e besimeve fetare dhe dialogun ndërkulturor”theksoi Kryeparlamentarja Topalli.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ndodhet në Strasburg, ku merr pjesë në Konferencën Europiane të Presidentëve të Parlamenteve që po mbahet për dy ditë me radhë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›