E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli/“Rama të bëjë propozimin e tij, ose të pranojë emrin e shumicës”

06-06-2012 / Gazeta 55

Shansi i fundit për opozitën – mazhoranca, e vendosur në kandidaturën e Xhezair Zaganjorit

Xhezair Zaganjori do të jetë kandidati i mazhorancës edhe në raundin e katërt, kur presidenti mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.
Të paktën, këtë konfirmon nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i cili thotë se mazhoranca nuk është e lëkundur nga kandidatura e Zaganjorit. Ai fton gjithashtu opozitën të paraqes kandidatin e saj. “Ne e kemi kandidaturën tonë dhe ai është Xhezair Zaganjori. Ne i kemi pasur emrat tanë, kur kemi deklaruar që kandidatura do të jetë politike dhe mbas kësaj, për hir të konsensusit, ne kemi gjetur si kandidat më të përshtatshmin, më të mirin, zotin Zaganjori”, deklaroi deputeti demokrat, Edi Paloka.
Një tjetër deputet i PD-së, Tritan Shehu, thotë se opozita ka tri ditë kohë për ti dhënë vendit presidentin konsensual. Shehu sqaron se nëse dështon raundi i tretë, javën e ardhshme demokratët do të rinisin negociatat me aleatët e tyre për ti dhënë vendit një president kushtetues dhe jo konsensual, siç u ofrua të ishte Zaganjori.
“Nëse raundi i tretë dështon, dështon çdo mundësi e partisë Socialiste për të qenë pjesëmarrëse. Pastaj procesi nuk ka nevojë më për partinë Socialiste por zgjidhet me votat e maxhorancës. Pozicioni i Berishës ka qenë i qartë që Shqipërisë i duhet më mirë një president politik. Tërheqja nga ky pozicion u bë pikërisht për ti hapur rrugë procesit gjithëbashkëpunues e për të afruar PS me një kompromis të nisur brenda mazhorancës. I gjithë grupi parlamentarë i partisë Demokratike do të votojë në bazë të vendimit politik që PD do të marrë”, deklaroi deputeti Tritan Shehu.
Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu sqaron votën e tij në Parlament duke thënë se vlerëson kandidaturën e Zaganjorit.
“Nëse flasim për konsensus, nuk duhet të jetë thjesht për hatër konsensusi, por rreth një figure që plotëson kushtet për të qenë president konsensual. Mendoj që propozimi i bërë nga mazhoranca, ka pasur në thelb qëllimin për të pasur një autoritet të vendit, që të jetë qytetari i parë, simboli unitetit kombëtar. Shpresoj që PS të vijë në vlerësim rreth kandidaturës dhe pse jo, të propozojë kandidatura të tjera. Partia Republikane do të jetë pjesë e një vendimmarrje të përbashkët të mazhorancës për çdo çështje”, deklaroi kreu republikan, Fatmir Mediu.
Kjo javë është shansi i fundit që qeveria dhe opozita të zgjedhin një president duke bashkuar votat. Në rastin e kundërt, javën e ardhshme, procesi i zgjedhjes së presidentit kalon në një fazë tjetër duke mos kërkuar më nevojën e 84 votave, por vetëm votat e 71 deputetëve në Parlament.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›