Shqipëria, projekti TAP do hap 3 mijë vende të reja pune në vit
Studimi i Universitetit të Oksfordit përllogarit përfitimet që do ketë Shqipëria nga TAP
Afro 3 mijë shqiptarë do të punësohen çdo vit me nisjen e ndërtimit të projektit TAP në vendin tonë. Përfitimet që do të ketë ekonomia e Shqipërisë nga ndërtimi i këtij projektit janë përllogaritur në shifra konkrete edhe nga një studim i fundit i ndërmarrë nga universiteti prestigjioz i Oksfordit.
Punësimi
Sipas studimit në fjalë, vetëm në fazën e ndërtimit që do të zgjasë nga viti 2015 deri në vitin 2018, gazsjellësi do të gjenerojë 157 milionë euro shtesë në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar dhe do të krijojë mesatarisht 2900 vende pune në vit. Por gjithashtu studimi vë në dukje se ndërtimi do të ketë efekte zinxhir në krijimin e bizneseve të reja, që do përfshihen në aktivitete e lidhura me këtë industri. Kjo, sipas tyre, do të rrisë prodhimin kombëtar edhe me 110 milionë euro të tjera shtesë, duke krijuar edhe 3900 vende të reja pune.
Buxheti
Për më tepër ekonomia shqiptare do të përfitojë edhe nga shpenzimet e punonjësve të punësuar në projekt ose aktivitetet e lidhura me të. Sipas përllogaritjeve, efekti i tyre do të jetë një tjetër shtesë prej 110 milionë eurosh në prodhim dhe 460 vende të reja pune. I gjithë ky efekt në ekonomi prek edhe Thesarin e Shtetit, duke gjeneruar sipas studimit 40 milionë euro të ardhura për buxhetin në periudhën 2015-2018. Këto janë përfitime vetëm për tre vitet e para të ndërtimit, ndërkohë që në 20 vjet ekspertët e Oksford përllogarisin se ekonomia shqiptare do të përfitojë deri në 1 miliardë euro shtesë në prodhim nga projekti.
Ekspertët
Në vijim të studimit të Universitetit të Oksfordit, edhe ekspertët e Entit Rregullator të Energjisë thonë se ndërtimi i gazsjellësit Transadriatik, i cili përfundon në 1 janar 2019, zbut përfundimisht problemet energjetike të Shqipërisë. “Cilado që të jetë kërkesa fillestare në Shqipëri, TAP do ta marrë përsipër mbulimin e saj. Në shtesë të kësaj, vendimi i Entit Rregullator, ka parashikuar që TAP do të bëjë çdo dy vjet një vlerësim të tregut dhe në qoftë se do të manifestojë që ka nevojë për më shumë gaz, atëherë do të rritet kapaciteti i pikave të gazit ekzistuese, ose do të shtojë pika të reja”, tha dje Shkëlqim Bozdo, komisioner i Entit Rregullator.
Kostoja e gatimit
Gjithashtu komisioneri i ERE-s sqaron se përdorimi i gazit ul deri në 30 për qind koston që paguajnë aktualisht familjet për ngrohje apo dhe gatim. “Nëse përdor direkt gazin për ngrohje, pa dyshim që gazi redukton 30 për qind të kostos”, tha Bozdo. Por furnizimi me gaz, pritet të zhvillojë edhe industrinë, duke u krijuar bizneseve mundësinë për energji me kosto të ulëta. Gazsjellësi Transadriatik, i cili transporton gazin e Kaspikut në tregjet europiane, një investim rreth 40 miliardë dollarë, kalon përmes Shqipërisë dhe përfundon në Itali. Projekti u përzgjodh si fitues nga aksionerët e fushës gazmbajtëse të ‘Shah Denizit’ në Azerbajxhan, kundrejt rivalit tjetër ‘Nabuco’, i cili e anashkalonte Shqipërinë duke i hequr asaj përfundimisht mundësinë për të qenë pjesë e rrjetit botëror të gazit.
2900
vende të reja pune do të krijohen në vendin tonë me nisjen e ndërtimit të gazsjellësit transadriatik (TAP)
30
për qind pritet të ulet kostoja e përdorimit të gazit për ngrohje dhe gatim nga familjet shqiptare
40
milionë euro të ardhura për buxhetin e shtetit pritet të sjell TAP në periudhën 2015-2018, por në 20 vjet ekonomia shqiptare do të përfitojë deri në 1 miliardë euro
Berisha: TAP do ketë edhe
garancinë e qeverisë së re
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, kryeministri Sali Berisha foli për gazsjellësin Transadriatik, duke e quajtur atë si projektin e shekullit. Kryeministri tha se ky është vendimi më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë pas anëtarësimit në NATO dhe me përfitime direkte për shqiptarët. Do të krijojë në Shqipëri në të gjithë trajektoren e tij, mijëra vende pune, qindra biznese dhe shërbime në të gjithë trajektoren e tij, bëhet një korridor i fuqishëm punësimi dhe të ardhurash për shqiptarët. Them dhe një herë, që, në rrafshin strategjik, përbën një fitore të jashtëzakonshme, sigurisht procesi i integrimit europian është mbizotërues. Ato janë dy çështje të ndryshme, por zgjidhja e problemit të energjisë është zgjidhje përfundimtare, tha Berisha. Gjatë paradites së djeshme, kryeministri Berisha u takua me përfaqësuesit e qeverisë së Azerbajxhanit dhe të konsorciumit Shah Deniz 2, takim në të cilin kryeministri tha se kishte dhënë edhe një garanci shumë të rëndësishme, që lidhet me qëndrimin e qeverisë së re ndaj gazsjellësit. Të gjitha marrëveshjet për TAP janë miratuar në unanimitet në parlamentin shqiptar dhe se kjo është një garanci e plotë se projekti do të ketë mbështetje totale të qeverisë dhe opozitës nesër në Parlament, tha Berisha.