E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëria, rol drejtues në Komitetin Këshillimor të Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Shqipëria për herë të parë ka marrë një rol drejtues në Komitetin Këshillimor të Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale (ACE).

Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili nënvizoi se “ky emërim i Shqipërisë është një sukses i jashtëzakonshëm për MEKI-n, duke njohur përpjekjet e saj në fuqizimin e të drejtës së autorit dhe rikonfirmuar besueshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare”.

E përfaqësuar nga Borana Ajazi, drejtoreshë e të Drejtës së Autorit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Shqipëria mbajti për herë të parë pozicionin e zëvendësdrejtueses në sesionin e 17-të të Komitetit Këshillimor të Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale (ACE) në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI).

ACE është forumi i vetëm global që trajton politikat mbi mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të autorit dhe të pronësisë intelektuale, duke luajtur një rol kyç në zhvillimin e strategjive ndërkombëtare për këtë fushë.

Tema e ACE 17, “Pirateria në internet”, solli në vëmendje sfidat dhe përpjekjet globale për të mbrojtur të drejtat e autorit në epokën digjitale. Në këtë kuadër, Shqipëria prezantoi iniciativat e saj për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe forcimin e mekanizmave të zbatimit në hapësirën digjitale.

Gjatë sesionit, u zhvillua gjithashtu një takim dypalësh me drejtorin e përgjithshëm të OBPI, Daren Tang, ku u diskutua rëndësia e këtij pozicioni për Shqipërinë, progresi në fushën e pronësisë intelektuale dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes OBPI dhe vendit tonë.

“Ky angazhim i Shqipërisë në një forum të tillë prestigjioz dëshmon përkushtimin e tonë për të forcuar kornizën ligjore dhe institucionale të pronësisë intelektuale dhe për të kontribuar aktivisht në politikat globale mbi mbrojtjen e të drejtave të autorit”, u shpreh ministri Gonxhja.

1 nga 6

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›