Shqipëria, sërish në garë

Paraqitja e Kombëtares shqiptare ka entuziazmuar edhe selektorin Josip Kuze. Drejtuesi i stolit kuqezi ishte arkitekti i triumfit me Bjellorusinë, një kundërshtar që e kishte studiuar deri në detaje.
Futbollistët iu përgjigjën më së miri detyrave taktike dhe kërkesave të trajnerit, duke realizuar një prej paraqitjeve më të mira të Shqipërisë në këto vitet e fundit, me lojë mbresëlënëse dhe mjaft raste të krijuara.
“Ishte një ndeshje e shkëlqyer. E gjithë skuadra funksionoi dhe i zbatoi më së miri detyrat që kishim përcaktuar. E kishim të qartë se Bjellorusia është një kundërshtar i fortë, ndërsa detyra jonë bëhej edhe më e vështirë, pasi duhej të sulmonim dhe të kërkonim fitoren. Megjithatë, mund të them se kjo ishte ndeshja më e mirë e Kombëtares që prej periudhës kur unë kam marrë drejtimin e skuadrës”, deklaroi trajneri kroat në konferencën për shtyp.
Kuze nënvizoi se me këtë fitore, që i ngjit kuqezinjtë në vendin e tretë në Grupin D, me 8 pikë sa edhe Bjellorusia, Shqipëria është futur sërish në garë. Objektivi i ardhshëm është sfida në fushën e Bosnjë-Hercegovinës, ku do të kërkohen pikë.
“Punuan mjaft mirë në sulm, por ishim edhe të pafat. Krijuam shumë raste për shënim, por dukej sikur topi nuk donte të hynte. Gjithsesi, shënuam një gol dhe morëm tri pikë. Me këtë fitore, ne jemi futur sërish në garë dhe tashmë duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Duke nisur nga sfida e radhës me Bosnjën, ku duhet të marrim pikë”, theksoi ai.
Kroati ka vlerësuar edhe tifozët dhe atmosferën në stadiumin “Qemal Stafa”, për të cilët thotë se e meritojnë notën 10 për atë që bënë në tribuna duke e mbështetur ekipin gjatë gjithë kohës.
Hamdi Salihi, heroi i fitores, deklaroi se ky ishte goli më i rëndësishëm në Kombëtare. “Është goli im më i rëndësishëm. Falënderoj Zotin dhe tifozët që ishin të mrekullueshëm. Zhvilluam një paraqitje shumë të mirë, duke sulmuar dhe mbi të gjitha duke e kontrolluar takimin. Tani të shijojmë këtë fitore dhe më pas do të mendojmë për ndeshjet e radhës, ku do të kërkojmë vazhdimësinë”, deklaroi ai.
Ndeshja e radhës e Shqipërisë do të jetë ajo e 7 qershorit ndaj Bosnjës e Hercegovinës, në Sarajevë.
Stange: Shqipëria fitoi me meritë
Selektori i Bjellorusisë, Bernd Stange i ka lavdëruar lojtarët e Shqipërisë, për lojën që bënë të shtunën mbrëma.
“Në këtë ndeshje ne nuk mund të kërkonim rezultat të favorshëm pasi kishim mungesën e 6-7 futbollistëve të rëndësishëm. Ne mund të kishim pësuar më shumë gola për faktin së Shqipëria luajti shkëlqyeshëm, dhe sigurisht se e meriton një notë të lartë. Ne tash mendojmë për sfidën e radhës, kurse Shqipërisë i uroj fat”, theksoi trajneri gjerman.
Berisha: Qeveria do ta shpërblejë Kombëtaren
Sali Berisha, kryeministri i Shqipërisë, deklaroi se Qeveria që ai drejton do ta shpërblejë Kombëtaren shqiptare të futbollit për fitoren e së shtunës ndaj Bjellorusisë me rezultatin 1-0, në stadiumin “Qemal Stafa”.
“Qeveria do ta shpërblejë ekipin kombëtar për ndeshjen e fituar, një nga ndeshjet më të bukura të Kombëtares sonë. Kjo ishte performanca më e mirë dhe paraqitja më dinjitoze e Shqipërisë”, deklaroi Berisha.
Gjithashtu, kryeministri i vendit siguroi se viti 2012 do të jetë viti i finalizimit të stadiumit kuqezi”.