Cana: Një ditë do të jemi aty!
Pak orë përpara startit të sfidës kundër Bjellorusisë, në gazetën më të madhe sportive franceze L’Equipe, shfaqet një intervistë e Lorik Canës, ish-kapiten i Marsejës në Ligue 1. Mesfushori i Gallatasarajit është optimist se një ditë Kombëtarja shqiptare do të kualifikohet në Kampionat Botëror ose Europian. Momentalisht, Kuqezinjtë janë në fazën e kualifikimeve për Euro 2012, ku të shtunën luajtën me Bjellorusinë, ku fituan minimalisht 1-0, por kjo fitore u lejoi djemve të drejtuar nga Kuzhe të ëndërrojnë. Sidoqoftë, mesfushori kosovar beson se në një të ardhme jo shumë të largët, edhe shqiptarët do t’i gëzohen kualifikimit në njërin nga kompeticionet më të rëndësishme të futbollit. “Një ditë do të jemi atje”, thotë Cana në një prononcim për të përditshmen prestigjioze franceze L‘Equipe. “Unë do të luaj për Shqipërinë edhe 6-7 vjet, kështu që kam mundësi për ta shijuar Botërorin ose Europianin. Por, nëse jo unë, pak më vonë futbollistët e tjerë shqiptarë do ta shijojnë kualifikimin”, vazhdoi Cana. Për ta arritur këtë, ai mendon se kombëtarja ka nevojë për lojtarët kualitativë shqiptarë, të cilët duhet t’i afrojë në gjirin e saj, para se ata ta zgjedhin një kombëtare tjetër. “Behrami ose Shaqiri mund të luanin për Shqipërinë, por e kanë zgjedhur Zvicrën. Kemi nevojë për lojtarë të tillë, që janë rritur jashtë, për të na u bashkuar. Unë e kam zgjedhur Shqipërinë, sepse është vendi im”, vijoi ai. 27-vjeçari uron që Shqipëria ta mbyllë fazën e kualifikimeve për Euro 2012 minimalisht në vendin e katërt, e cila do t’i dhuronte një përparësi në shortin e ardhshëm. “Nëse arrijmë në kuotën e 12 pikëve, mendoj se kemi mundësi të mira për të qenë në vazon e katërt. Do të ishte e mrekullueshme, sepse sa më lart që je në vazo, aq më shumë ke mundësi të kualifikohesh në një turne të rëndësishëm. Kjo është ëndërr imja”, tha futbollisti i Gallatasarajit. Pra, Cana e ëndërron një kualifikim historik të Shqipërisë, e cila kurrë nuk e ka shijuar fazën finale të ndonjë Botërori apo Europiani.
Ndërsa pas ndeshjes, Cana ka qenë vërtet i entuziazmuar. “Kemi zhvilluar ndoshta një nga dy tri ndeshjet më të bukura qysh kur kam ardhur në kombëtare. Kanë ndikuar disa faktorë në fitoren tonë, por nuk mund të themi se kemi arritur gjithçka. Çunat kanë kohë që luajnë bashkë dhe kur futen në fushë japin gjithçka. Kemi vendosur bashkarisht për taktikën para ndeshjes, duke i ditur pikat tona të forta dhe të dobëta,” ka treguar Loriku sekretin e fitores së madhe, të parën kundër Bjellorusisë.