E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhgënjyen

Miqësorja e së dielës ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe Renovës ka përfunduar pa gola. Fusha katastrofale, loja shumë monotone dhe numri jo aq i madh i shikuesve, e karakterizuan këtë ndeshje, e cila thënë shkurt e shqip - zhgënjeu. Selektori Albert Bunjaki alarmoi se infrastruktura e dobët në vend mund të ndikojë te futbollistët e tij që ta humbin moralin e motivin për përfaqësuesen. Nga Valon Konushevci & Moral pozhegu më 28 mars 2011 në ora 12:48

Ndeshja miqësore ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe Renovës së Maqedonisë, e cila është zhvilluar të dielën në kryeqytet, ka përfunduar baras, 0:0.

Fusha katastrofale, loja shumë monotone dhe numri jo aq i madh i shikuesve, e kanë karakterizuar këtë miqësore, të cilën me mund mjaft të madh e kishin organizuar udhëheqësit e futbollit kosovar.

Më pak se 4 mijë shikues që kishin ardhur për ta përcjellë këtë ndeshje, kanë dalë të zhgënjyer nga stadiumi, sepse ekipet kanë aplikuar lojë shumë monotone dhe nuk krijonin aksione të mira për ta kënaqur publikun. Andaj, munguan edhe golat.

Këtë e konfirmon edhe fakti se tifozeria nuk e pa të arsyeshme asnjëherë gjatë ndeshjes të këndojë në tribuna, apo të paktën për ta përshëndetur me duartrokitje ndonjë aksion, sepse nuk kishte të tilla raste.

E për gjithë këtë, fajet i ka pikërisht fusha katastrofale e stadiumit të kryeqytetit të Kosovës. Fusha me gunga ua pamundësoi futbollistëve të të dyja ekipeve të aplikojnë lojë më të mirë. Fusha katastrofale e ka nervozuar shumë edhe selektorin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki.

Madje, ai çuditet me faktin se si futbollistët kanë pranuar ta nisin ndeshjen në atë fushë në gjendje të mjerueshme.

“Kjo lojë, të cilën e luajtëm, ka qenë fenomenale, t’u i pasë parasysh mundësitë infrastrukturore. E lavdëroj vullnetin e reprezentuesve kosovarë dhe atyre të Renovës që shprehën dëshirë dhe gatishmëri për të luajtur në fushë të tillë”, ka deklaruar Bunjaki pas ndeshjes, i cili haptazi shprehu zhgënjimin e tij për faktin se përfaqësuesja e Kosovës nuk ka kushte për punë brenda kufijve të Kosovës.

“Është mëkat i madh që futbollistët e të gjithë Kosovës nuk e kanë asnjë fushë normale për të luajtur. Ata e meritojnë një fushë të mirë”, ka thënë Bunjaki.

Ai ka shprehur bindjen e tij se ekipet do të kishin mundur të aplikonin lojë shumë më të mirë sikurse vetë fusha të ishte më e mirë.

Madje, Bunjaki alarmoi gjithë Kosovën se futbollistëve të përfaqësueses të saj mund t’u bjerë morali e motivi për fanellën verdhekaltër, për shkak të infrastrukturës katastrofale.

“Nëse vazhdon në këtë mënyrë, po. Defenitivisht po, lojtarëve do t’u bjerë motivi për përfaqësuesen. Këta lojtarë mundesh m’i pru në Kosovë një herë, dy herë, tri herë - falë vullnetit dhe moralit të tyre për ta pranuar ftesën e përfaqësueses së vendit të tyre. Por, nëse nuk ndërmerren masa, atëherë do të jetë shumë vështirë për t’i nxjerrë nga klubet e tyre”, ka theksuar Bunjaki.

Rastin më të mirë për të shënuar gol në këtë ndeshje e ka pasur përfaqësuesja e Kosovës në minutën e 51-të, nëpërmjet Kristian Nushit. Ky i fundit e mori një top të mirë nga Alban Rama, derisa dështoi të shënojë prej dy metrave në portë thuajse të zbrazët.

Edhe Nushi tha se fusha me gunga ia mohoi golin. “Definitivisht terreni ishte problemi kryesor në këtë ndeshje. Fusha e keqe nuk na la ta bëjmë lojën tonë. Unë e pata rastin e qindpërqindtë, të cilin nuk do ta humbisja në një fushë tjetër më të mirë, por topi kërceu dhe rasti shkoi në pakthim. Në këtë fushë ishte e pamundur të luash përtokë”, është ankuar Nushi.

Të gjithë futbollistët kosovarë u ankuan në fushë. Andaj, sikurse publiku, edhe lojtarët ishin të zhgënjyer që nuk ia dolën ta tregojnë kualitetin e vërtetë të cilin e ka mbërritur deri më tani reprezentacioni ynë.

“Jemi të zhgënjyer, sepse publiku kishte ardhur për të shikuar lojë të mirë nga ne. Por, për shkak të fushës, ne nuk ia dolëm të luajmë mirë. Shkaku i fushës së keqe humbnim shumë topa në pasime. Thjesht nuk ishte lojë e mirë”, tha kapiteni i përfaqësueses, Anel Raskaj.

Për Faton Toskin, kjo ishte hera e parë që e përfaqësoi Kosovën. Futbollisti i Bochumit gjithashtu ka mbetur i zhgënjyer me fushën e mjerë të stadiumit të kryeqytetit. “Natyrisht, e kam pritur një debutim më të mirë, në një fushë më të mirë. Në Gjermani, nuk do ta lejonin zhvillimin e ndeshjes në një fushë të tillë. Shpresoj për ditë më të mira”, deklaroi Toski.

Edhe ekipi shqiptar nga Maqedonia, Renova ishte i zhgënjyer me fushën e mjerueshme të stadiumit të Prishtinës. “Mendoj se fajtori kryesor i këtij barazimi dhe kësaj loje që u zhvillua është fusha. Asnjë ekip cilësor nuk do të vijë të luajë në këtë fushë. Mbani mend, kjo infrastrukturë nuk mundëson lojë dhe nuk mundëson zhvillimin e ndeshjeve të përfaqësueses”, ka deklaruar trajneri kosovar i Renovës, Bylbyl Sokoli.

Duhet theksuar se këtë ndeshje monotone e ka përcjellë nga tribuna e VIP-ave edhe ministri i Sportit, Memli Krasniqi, por edhe zyrtarë të tjerë të institucioneve shtetërore të shoqëruar nga udhëheqësit e futbollit kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›