Vlorë: Ende asnjë gjurmë nga gomonia e zhdukur me 27 vetë
.jpg)
Ende asnjë gjurmë nga gomonia që është nisur nga Shqipëria drejt Italisë me 26 emigrantë në bord. Mediat italiane shkruajnë se kërkimet janë duke vazhduar në një hapësirë të gjerë që përfshin brigjet e Adriatikut në Pulia, pas sinjalizimit të dhënë mbrëmjen e djeshme, në orën 23:00 nga Kapiteneria e portit të Barit për një gomone e cila ndodhej në vështirësi dhe që ishte nisur nga Shqipëria me rreth 26 apo 27 emigrantë në bordin e saj. Në det po punojnë gjashtë motovedeta të Guardia Di Finances, madje kërkimeve u është bashkuar edhe një helikopter.
Sipas gazetës italiane “La Repubblica”, sinjalizimi për gomonen erdhi nga një person i cili ka njoftuar se ndodhej në bordin e saj dhe mjeti lundrues ishte në vështirësi, për shkak të një avarie në sistemin motorik. Kërkimet po vazhdojnë në një zonë që përfshin Barin, deri në Brindizi.Drejtori i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale në Durrës, Shefqet Bruka deklaroi për “News24” se nuk ka ende asnjë gjurmë nga gomonia e zhdukur në kanalin e Otrantos. Sipas Brukës, aktualisht po vijojnë kërkimet në Adriatik për gjetjen e gomones, që dyshohet se është nisur nga brigjet shqiptare me në bord 27 persona. Bruka theksoi se autoritetet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me palën italiane. /Indeksonline/