E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria shkel ‘Euron 2012’

Edhe pse zhgënjyen gjatë eliminatoreve, Kombëtarja shqiptar do ta shkelë ‘Euro 2012’. Kuqezinjtë nuk do të marrin pjesë në Kampionatin evropian, por para fillimit të kësaj gare do të grumbullohen në Poloni. Atje synojnë të zhvillojnë miqësore me Italinë, Spanjën, Kroacinë, Rusinë. dhe ta bëjnë ekipin për edicionin e ardhshëm.

Kualifikimi i Kombëtares shqiptare në një eveniment madhor - kampionat botërore dhe evropiane - vazhdon të mbetet ëndërr. Mirëpo kuqezinjtë i janë si asnjëherë më parë i janë afruar ‘Euro 2012’.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka planifikuar një grumbullim dyjavor në Poloni me lojtarët më të mirë. Në vendin që organizon Kampionatin Evropian, së bashku me Ukrainën, Kombëtarja do të ketë mundësinë të stërvitet, por edhe të zhvillojë miqësore me ekipet pjesëmarrëse në fazën finale të Evropianit.

Burime të televizionit shqiptar ABC News brenda FSHF’së kanë bërë të ditur se objektivi kryesor është organizimi i tre ose katër përballjeve me skuadrat e Grupeve A dhe C, të cilat do ti zhvillojnë ndeshjet mes Varshavës, Gdanskut, Poznanit dhe Vroklavit.

Drejtuesit e futbollit shqiptar gjatë qëndrimit në Poloni synojnë të sigurojnë ndeshje me ekipe e mëdha si Italia, Spanja apo Rusia, të cilat janë emrat më të mëdhenj të këtyre grupeve. Ndërsa kundërshtar të mundshëm janë edhe Polonia, Republika Çeke, Greqia, Kroacia e Republika e Irlandës.

Për këto miqësore, Shqipëria do të shfrytëzojë momentin kur skuadrat do të grumbullohen për afro një muaj përpara Euro 2012 dhe zgjedhin të bëjnë miqësore testuese në prag të turneut.

Përveç ndeshjeve me rivalë të nivelit të lartë, grumbullimi dyjavor do ti shërbejë trajnerit të ri të Shqipërisë për një njohur më mirë skuadrën dhe për të seleksionuar futbollistët te të cilët do të mbështetet në kualifikueset e Botërorit 2014.

Më parë drejtuesi i stolit, i cili pritet të zgjidhet deri në janar 2012, do të ketë mundësinë të njohë skuadrën më 29 shkurt, në datën e lirë të FIFA-s për miqësore ndërkombëtare. Ndërsa gjatë periudhës maj-qershor, në grumbullimin në Poloni do të bëhet baza e ekipit për edicionin e ardhshëm.

Më parë, organizime të tilla me përfaqësuesen kanë qenë “zboret” që zhvilloheshin në janar, kryesisht me lojtarët e kampionatit. Por tashmë specifika ndryshon, pasi në fushë do të jetë ekipi më i mirë dhe emrat e rivalëve janë vërtetë prestigjioz.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›